Autoritetet ruse akuzojnë Ukrainën, tentim për vrasjen e Putinit me dronë

03.05.2023 17:12

Autoritetet ruse e akuzuan Ukrainën të mërkurën...

Autoritetet ruse e akuzuan Ukrainën të mërkurën, se kishte tentuar ta sulmonte Kremlinin me dy dronë gjatë natës në një përpjekje për ta vrarë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Ukraina i ka mohuar këto akuza, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me sulmin me dronë. Kremlini nuk paraqiti asnjë dëshmi për incidentin dhe në deklaratën e publikuar nuk u dhanë shumë detaje.

Kremlini e cilësoi sulmin e pretenduar një “akt terrorist” dhe tha se forcat ushtarake dhe të sigurisë ruse i ndaluan dronët përpara se të kryhej sulmi. Në një deklaratë të transmetuar nga agjencitë shtetërore ruse të lajmeve, Kremlini tha se nuk pati viktima.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, “RIA Novosti”, se Putini nuk ishte në Kremlin në atë kohë dhe po punonte nga rezidenca e tij në Novo-Ogaryovo.

Kremlini shtoi se Putini është i sigurt dhe se agjenda e tij mbetet e pandryshuar.

Agjencia ruse e lajmeve “Tass”, shkruan se në këtë deklaratë thuhet se Kremlini e konsideron këtë ngjarje si një përpjekje të qëllimshme për ta vrarë Putinin përpara Ditës së Fitores që Rusia e feston më 9 maj. Zëdhënësi i Kremlinit, Peskov, tha se një paradë ushtarake do të zhvillohet atë ditë, ashtu siç ishte planifikuar më parë.