ShBA, 300 milion dollarë ndihmë ushtarake Ukrainës

03.05.2023 18:42

Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë Ukrainës....

Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë Ukrainës rreth 300 milionë dollarë ndihmë ushtarake, në kohën kur luftëtarët ukrainas po përgatiten për një ofensivë pranverore kundër ushtrisë pushtuese ruse.

Njoftimi zyrtar për ndihmën pritet të bëhet gjatë ditës së sotme, thanë zyrtarët amerikanë.

Paketa do të përfshijë fishekë për artileri, obusë, raketa për sistemin “Himars”, mortaja dhe pushkë antitank.

Për herë të parë, ShBA-ja do të dërgojë edhe raketa “Hydra-70”, të cilat lëshohen nga avionët dhe mund të përdoren si mbështetje nga ajri për avancimin e forcave tokësore të Ukrainës.

Armët do të nxirren nga stoqet e Pentagonit. Kjo do të jetë dërgesa e 37-të e armëve nga ShBA-ja në Ukrainë, prej se Rusia ka nisur pushtimin e fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.