Tre ditë zie në Serbi, dy fëmijë janë në gjendje kritike

04.05.2023 12:01

Serbia ka shpallur tre ditë zie pas masakrës së djeshme në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”....

Serbia ka shpallur tre ditë zie pas masakrës së djeshme në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në qendër të Beogradit, të cilën e kreu një nxënës 13-vjeçar, i cili vrau me armë tetë fëmijë dhe një rojtar. Dy fëmijë janë ende në gjendje kritike në spital. Gjendja e pesë të plagosurve të tjerë është stabile, duke e përfshirë edhe mësuesen  e  historisë.

Vajza, e cila u operua dje për shkak të plagëve në kokë është ende në rrezik dhe në terapi intensive, ka thënë drejtori i Klinikës së Fëmijëve në Beograd, Sinisha Duçiq. Shefi i policisë së Beogradit, Veselin Miliq, tha se Kosta K. ai e kreu sulmin për shkak se ishte i përjashtuar nga shoqëria.

“Ende nuk e dimë motivin. Ajo që mësuam ishte se ai ishte injoruar dhe përjashtuar nga shoqëria. Kur thirri policinë pas të shtënave, ai tha se ishte psikopat dhe se mendonte se duhej të qetësohej.”, tha Miliq.

Policia dje ka arrestuar babanë e 13 vjeçarit dhe i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka thënë se ai nuk mund të konsiderohet penalisht përgjegjës pasi nuk i ka mbushur ende 14 vjet.

Gjithashtu, nuk ka asnjë bazë ligjore për ta përjashtuar nga shkolla, ai mund të transferohet vetëm në një tjetër shkollë.