Botë

KQZ certifikon rezultatet në Leposaviq, Vuçiq kërkon zgjedhje të reja në veri të Kosovës

04.05.2023 14:34

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka certifikuar përbërjen e Kuvendit Komunal në Leposaviq...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka certifikuar përbërjen e Kuvendit Komunal në Leposaviq, i dalë pas zgjedhjeve të 23 prillit, ku Vetëvendosja ka fituar 15 mandate nga gjithsej 19, ndërsa nga dy mandate Partia Demokratike e Kosovës dhe Partia e Serbëve të Kosovës.
 
“Në bazë të nenit 64, rezultatet e zgjedhjeve janë përfundimtare vetëm atëherë kur janë certifikuar nga KQZ-ja. Me 8 vota për dy kundër dhe një abstenim certifikohet rezultati për kuvendin komunal në Leposaviq.”, - deklaroi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi. 
 
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar zhvillimin e një takimi “në nivel teknik” mes Kosovës dhe Serbisë brenda muajit maj ku do të diskutohej për situatën pas zgjedhjeve në veri, përkatësisht mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Vuçiq tha se Bashkimi Evropian ka pasur një propozim në takimin e fundit në Bruksel, të cilin ai e ka pranuar, por e ka refuzuar kryeministri, Kurti. Ndërsa, këshilltari politik në Qeverinë e Kosovës, Jeton Zulfaj, ka bërë të ditur se BE-ja ka kërkuar që të digjen mandatet në veri dhe kësisoj të mos bëhet betimi i kryetarëve të sapozgjedhur në procesin e jashtëzakonshëm zgjedhor, që u mbajt më 23 prill, të cilat u bojkotuan nga Lista serbe. 
 
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka vlerësuar se procesi zgjedhor i 23 prillit ka treguar se nuk ofron zgjidhje afatgjate të situatës dhe se ka potencial “të çojë në përshkallëzimin e saj”. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës votuan 1.567 votues apo 3.47 % e trupit të përgjithshëm votues, ndërsa për kryetar të komunës të Leposaviqit, u zgjodh Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje. Në Mitrovicën e Veriut ka fituar Erden Atiq, nga Vetëvendosje. Ndërsa në komunën e Zveçanit ka fituar Ilir Peci nga PDK dhe në Zubin Potok, Izmir Zeqiri, po ashtu nga PDK. Por, për atë se a do të negociohen mandatet e kryetarëve shqiptar në katër komunat në veri të Kosovës, pritet qëndrimi i qeverisë së Kosovës.
 
GYLTENE SINANI