Konflikti Rusi-Ukrainë, sulm me dron në Rusi, shpërthime në Kiev

04.05.2023 14:57

Shpërthimet kanë tronditur kryeqytetin ukrainas...

Shpërthimet kanë tronditur kryeqytetin ukrainas që nga mëngjesi. Sirenat u dëgjuan si në Zaporozhye, ashtu edhe në Odessa. Një ditë pasi Moska akuzoi Kievin për kryerjen e sulmeve me dronë në Kremlin, shpërthimet vazhdojnë të kumbojnë në Ukrainë.

Për autoritetet në Kiev, akuzat ruse janë vetëm një arsyetim për sulmet masive terroriste në vend.

“Ukraina nuk ka asnjë lidhje me sulmet me dron në Kremlin. Pretendimet do të japin arsyetim për Rusinë "për të arsyetuar sulmet masive në qytetet e Ukrainës, mbi popullsinë civile dhe objektet e infrastrukturës.", - deklaroi këshilltari i presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podolyak.

Rusia e quajti sulmin ndaj Kremlinit një atentat të dështuar ndaj presidentit Putin, duke u zotuar për hakmarrje. Për ta, vendimet për akte të tilla nuk merren në Kiev, por në Uashington.

“Ne e dimë shumë mirë se vendimet për akte të tilla terrorizmi nuk merren në Kiev, por në Uashington dhe Kievi bën vetëm atë që i thuhet të bëjë. Shpesh, nuk është Kievi ai që i përcakton qëllimet, por Uashingtoni dhe më pas i sjell në Kiev për t'i përmbushur ato.”, - theksoi  zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Shtëpia e Bardhë tha se nuk mund të konfirmonte pretendimet e Moskës. Në të njëjtën kohë, një sulm i ri me dron u regjistrua në jug të Rusisë. Një rafineri nafte në rajonin e Krasnodarit u godit. Nga zjarri që pasoi, nuk pati viktima.

Moska e drejtoi sërish gishtin nga Kievi. Ukraina rrallë merr përgjegjësinë për sulme të shpeshta me dron, thotë ajo.

Në kohën e sulmeve ajrore dhe akuzave të fundit, presidenti ukrainas Zelensky ndodhet në një vizitë të paparalajmëruar në Holandë. Ai foli me anëtarët e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe vizitoi Gjykatën Ndërkombëtare Penale, e cila heton krimet e kryera gjatë luftës në Ukrainë. Ai pret që Putini dhe të tjerët të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit ndërkombëtar.

“Ne të gjithë duam të shohim një Vladimir të ndryshëm këtu në Hagë. Ai që meriton të dënohet për ato vepra kriminale pikërisht këtu në kryeqytetin e së drejtës ndërkombëtare. Sigurisht që do ta shohim kur të fitojmë.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Gjykata ndërkombëtare njoftoi muajin e kaluar se gjetën bazë të arsyeshme për të besuar se Putini është përgjegjës për dëbimin dhe transferimin e paligjshëm të fëmijëve nga territoret e okupuara të Ukrainës në Rusi, por shanset që ai të gjykohet në Hagë janë minimale dhe gjykata nuk ka juridiksion për ta ndjekur për vepër penale agresion ndaj një vendi tjetër sovran. (Leunora Kaliqi, TVM2)