Shënohet 120 vjetori i vdekjes së Goce Dellçevit

04.05.2023 15:52

Me rastin e shënimit të 120 vjetorit të vdekjes së ideologut Goce Dellçev...

Me rastin e shënimit të 120 vjetorit të vdekjes së ideologut Goce Dellçev, delegacioni qeveritar i udhëhequr nga ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, vendosën lule në varrin e Goce Dellçevit në kishën “Shën Spasi” në Shkup. Po ashtu, kurora lulesh vendosën edhe presidenti Stevo Pendarovski dhe delegacionet e Kuvendit, Ministrive, Akademisë së Shkencave dhe Arteve, përfaqësues të partive politike, trupit diplomatik, si dhe admirues të tjerë të veprës së Goce Dellçevit. Me këtë rast nipi i tij, Hristo Hristov, theksoi se ndodhitë aktuale ne relacion Shkup-Sofje nuk e shfrytëzojnë në praktikë frazën e famshme për garë kulturore mes popujve.
 
“Ajo që shihet  është e kundërta nga ajo që është thënë, të gjithë e dinë se çka është paqe. Në ditën e sotme, dëshira ime do të ishte që të bëjmë një ngjarje të qetë dhe të madhe kulturore që do të përfshinte muzikantë nga të dyja vendet, me një orkestër të madhe, ku do të këndoheshin dy himnet e shteteve.”, - deklaroi nipi i Goce Dellçevit, Hristo Hristov.
 
Politika është përzier në faktet historike, ndërsa Dellçevi ka luftuar për lirim nga tirania, theksojnë nga Instituti i historisë.
 
“Nuk mund të thuhet se Goce ka luftuar për pavarësinë e shtetit bullgar, Bullgaria ka ekzistuar kur ka lindur ai. Ai ka luftuar për ta çliruar Maqedoninë dhe pjesëve që kanë qenë të uzurpuara nga Turqit. E rëndësishme është ideja për ta përmbysur tiraninë.”, - theksoi Aleksandar Atanasov nga Instituti i historisë.
 
Me këtë rast u ndanë edhe çmimet shtetërore, Goce Dellçev. Fitues të çmimit janë ish-ambasadori në NATO dhe profesori universitar, Nano Ruzhin, prof. Trifçe Sandev, dr. Aleksandar Iomin dhe dr. Aleksandar Vasilevski. Çmimet u ndanë për arritje të rëndësishme me interes për Republikën e Maqedonisë së Veriut në fushën e shkencës. Për shkak të tensioneve gjatë festimit të 151 vjetorit të lindjes së Goce Dellçevit, kësaj radhe, Shkupi dhe Sofja nuk mbajtën aktivitete të përbashkëta. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI