Botë
Tragjedia në Beograd, dy nga nxënësit e plagosur, ende në gjendje kritike
04.05.2023 16:18
Të enjten, shkollat anembanë Serbisë mbajtën një minutë heshtje, ndërsa Instituti i Shëndetit Mendor në Beograd...

Të enjten, shkollat anembanë Serbisë mbajtën një minutë heshtje, ndërsa Instituti i Shëndetit Mendor në Beograd hapi një linjë krize për të ofruar ndihmë psikologjike për nxënësit, mësuesit dhe familjet e prekura pas tragjedisë që ndodhi nga djaloshi 14-vjeçar, i cili qëlloi për vdekje tetë shokët e tij të klasës dhe një roje në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd. Mjekët thonë se dy nga fëmijët e plagosur janë ende në gjendje kritike, pasi i janë nënshtruar një sërë operacionesh.
“Gjendja është goxha më e mirë, nga 4 të lënduar, 3 janë në gjendje më stabile. Janë zgjuar, folëm me ta. Sa i përket pacientit të 4-të, ai erdhi me lëndime të rënda në gjoks, qafë dhe shpinë. I bëmë 2 operacione. Është zgjuar, por gjendjen e tij e konsiderojmë kritike. Sot do të shohim efektet e operacionit dhe se sa ato do të përmirësojnë gjendjen e tij shëndetësore.”, - theksoi drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Serbisë, Milica Ashanin.
“2 djelmoshat që morën plumba në këmbë janë në gjendje stabile, kurse vajza që kishte marrë lëndime në kokë, është në gjendje më kritike. Mjekët po bëjnë çmos që ta përmirësojnë gjendjen e saj dhe ta kthejnë atë në jetë, por gjendja e saj shëndetësore vazhdon të jetë kritike dhe me rrezik. Tani për tani nuk parashihet ndonjë operacion tjetër.”, - deklaroi drejtori i Klinikës Universitare të fëmijëve, dr. Sinisha Duçiq.
Që në mëngjes, para shkollës fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd u panë të moshuar, të rinj dhe nxënës duke vendosur lule në shenjë solidarizimi me viktimat. Qytetarët e Serbisë janë në shok. Në rrjedhë është edhe një aksion për dhurimin e gjakut, nëse paraqitet nevoja për ndonjë operacion tjetër të të lënduarve që gjenden në spital.
“Katastrofë. Kjo që ndodhi është e pakuptimtë, por edhe ajo që ka ndodhur më herët. Ai synoi, por të gjithë të tjerët po vrasin. Gjithë muajin e kishte planifikuar këtë gjë, para syve të familjes së tij, duke mos vërejtur asgjë ata, kjo gjë më shokon. Djaloshi e vrau dhe veten, sepse jeta e tij nuk do të ishte ashtu sikur që do të dëshironte të ishte, nëse nuk do të kishte ndodhur kjo gjë. Ndoshta edhe nuk ishte në vetëdije se çfarë po ndodhte. Kështu që pikëllimi shihet tek të gjithë ne, tjetër asgjë nuk na mbetet.”, - tha një qytetar.
“Ajo që ka humbur, nuk mund të kthehet. Humbëm fëmijë të mrekullueshëm. Fëmijët e tjerë patjetër duhet të përballen me këtë gjë. E kanë patjetër të vazhdojnë më tej. Patjetër t’i ndihmojmë të ecin përpara. Duhet të marrin fund këto gjëra. Vetë shoqëria duhet të përmirësohet dhe të ndryshojë. Duhet të ndërmarrim diçka. Të kthejmë sytë edhe nga familja, e cila është shumë e rëndësishme se si trajtohemi nga ta, të kemi paqe, dashuri, tolerancë e mirëkuptim.”, - tha një qytetar tjetër.
“Erdha të jap gjak. Grupi i gjakut tim është RH, prandaj shpresoj t’u vijë në ndihmë sadopak.”, - u shpreh një dhurues gjaku.
Ende nuk dihen zyrtarisht shkaqet e kësaj tragjedie që nuk mbahet mend të ketë ndodhur më parë në Serbi. Në mediat serbe flitet se 14-vjeçari bullizohej nga bashkëmoshatarët dhe kjo e kishte bërë atë një person të mbyllur në vetvete. Qeveria serbe shpalli 3 ditë zie kombëtare.
FITORE DEMOLLI
