Maqedoni
LSM kërkon rritje pagash, Dimovski: 78% për zyrtarët, përçmim për punëtorin
04.05.2023 20:29
Sindikatat në Maqedoninë e Veriut kërkojnë rritje të pagave sikurse për funksionarët e zgjedhur....

Sindikatat në Maqedoninë e Veriut kërkojnë rritje të pagave sikurse për funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar, të cilët pagën e muajit prill e morrën me rritje prej 78 përqind.
Darko Dimovski, kryetar Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se, “rritja marramendëse” e pagave të zyrtarëve është “e dhimbshme” për gjithë ata qytetarë që nuk po arrijnë të sigurojnë as gjërat më elementare për jetë.”
“Rritja prej 35 eurove për punëtorët dhe prej më shumë se një mijë euro për funksionarët flet qartë se për kë kujdesen ata në këtë shtet. Ne nuk dorëzohemi, kërkojmë gjithashtu rritje të pagave, ose ata le t’i ulin në nivelin e mëparshëm. Ata përveç se rritën pagat vazhdojnë edhe të na gënjejnë se gjoja po ulin çmimet, por të gjithë ne jemi dëshmitarë se si po e kalojmë muajin”,- thekson Dimovski.
Nga rritja e posaçme të pagave të zyrtarëve përfituan rreth një mijë funksionarë të lartë dhe rreth një mijë gjyqtarë dhe prokurorë.
Ndërkaq, paga minimale në Maqedoninë e Veriut, me rritjen e fundit prej 35 eurove arrin në 320 euro, ndërsa ajo mesatare sillet rreth 530 euro.
