Mbrëmje e denjë për një skenar filmi ajo e All Star Game

16.02.2015 19:01

Në natën e yjeve të NBA nuk mund të mungonte spektakli por këtë herë gjithcka rezultoi akoma edhe më e bukur...

Konferenca e Perëndimit mposhti pas një sfide magjepsëse Konferencën e Lindjes 163-158.

Plot 321 pikë të realizuara, All Star Game i vitit 2015 vendosi një rekord të ri përsa i përket pikëve të shënuara duke parakaluar edhe atë vitit të kaluar me 3 pikë më tepër.

Por ky nuk ishte i vetmi rekord që dhuroi mbrëmja magjike e Madison Square Garden në New York, pasi këtë herë u vunë në skenë plot 48 realizime për tre pikë, ndërkohë që rekordi i mëparshëm ndalej në kuotën e 30 trepikshave. Përsa i përket rekordeve personalë mjafton të shikosh paraqitjen e MVP-së së mbrëmjes, lojtarit të Oklahoma City, Rusell Westbrook.

Nëse shumë persona do të intervistoheshin përpara sfidës dhe do të jepnin mendimin e tyre se cili do të shpallej lojtari më i mirë i All Star Game, nëse do të bëhej fjalë për një basketbollist të Thunder, të gjithë do të thoshin Kevin Durant, por nuk ndodhi aspak kështu pasi Rusell Westbrook la në hije edhe shokun e tij të skuadrës duke u shndërruar në MVP e takimit. Plot 41 pikë realizoi 26-vjecari i Oklahomës, duke iu afruar me vetëm 1 pikë rekordit absolut që mbahet nga legjenda e NBA, Wilt Chamberlain me këtë të fundit që në vitin 1962 shënoi 42 pikë në All Star Game.

Pra kjo ishte një përballje që shkon përtej shifrave, e gjatë ne centimetra, e fortë në muskuj dhe spektakolare poshtë koshit. Ky është NBA, kjo është ndeshja e yjeve.