Maqedoni

Vrasjet masive në Serbi, Spasovski: Nevojiten masa parandaluese

05.05.2023 14:09

Nevojitet aksion i përgjithshëm shoqëror dhe ngritje e vetëdijes shoqërore që të parandalohen tragjeditë...

Nevojitet aksion i përgjithshëm shoqëror dhe ngritje e vetëdijes shoqërore që të parandalohen tragjeditë, si ato në Serbinë fqinje, thotë ministri i brendshëm, Oliver Spasovski. Ai në një prononcim për servisin publik thotë se tragjeditë e tilla duhet të na nxisin për të kërkuar zgjidhje, por procesi i arsimimit dhe edukimit të fëmijëve varet edhe nga institucionet, ndërsa është i nevojshëm edhe kujdes për shëndetin mendor. 
 
“Të dihet qartë se do të bart përgjegjësi secili që do të ndërmerr çfarëdo veprimi në kuadër të shkeljeve të këtilla për cënimin e sigurisë së qytetarëve, por gjithsesi janë të nevojshme edhe aktivitetet tjera që do të thonë preventivë, sepse parandalimi është gjysma e punës.”, - deklaroi Oliver Spasovski nga MPB-ja.
 
Ekspertët e Sigurisë: Fëmijët mund të ndikohen nga ajo që shohin
 
Edhe profesor universitarë nga sfera e sigurisë theksojnë nevojën për marrjen e masave preventive, pasi fëmijët mund të ndikohen nga ajo që ndodh rreth nesh.
 
“Përvojat e deritanishme flasin për atë se tërë ajo që po ndodh tek fqinjët tanë reflektohet edhe tek ne, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte. Të shpresojmë se nuk do të ndodhë, por është  e mundur pasi vet fëmijët tani do të identifikohen për dikë me heroin, për dikë kriminelin dhe mund të ndërmarrin veprime.”, - theksoi profesori i Fakultetit të Sigurisë, Zllate Dimovski.
 
Vendi ka evidencë për armët legale të cilat arrijnë në rreth 185 mijë, por rreziku më i madh vjen nga armët ilegale, të cilat i posedojnë individët të cilat i kanë siguruar në tregun e zi, thonë ekspertët.  

GYLTENE SINANI