Sërish vrasje masive në Serbi, 21-vjeçari vrau 8 persona, plagosi 14
Përderisa në Serbi janë shpallur tri ditë zie...

Përderisa në Serbi janë shpallur tri ditë zie, për shkak të ngjarjes tragjike në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd, një vrasje e re masive në afërsi të Mlladenovcit është evidentuar për më pak se 48 orë.
Një sulmues 21-vjeçar ka vrarë 8 persona, ndërsa 14 të tjerë janë plagosur mbrëmjen e së enjtes. Viktima më e re është 15 vjeç. Vajtim, dhimbje dhe mosbesim pas kësaj masakre u evidentuan tek banorët lokal.
“Çka do të bëj pa të? Unë nuk mundem të jetoj më!”, - tha një banor.
Sulmuesi, të cilin policia e identifikoi si Urosh B. është arrestuar në lagjen Groshnicë, në afërsi të Kragujevcit.
Ndërkohë që po vazhdonin kërkimet për të, ai ka postuar foto dhe komente në profilin e tij në Instagram, duke thënë se do t’i vrasë të gjithë deri në fund. Me automatik nga një mjet në lëvizje ka qëlluar rastësisht fillimisht në fshatin Dubonë dhe më pas është nisur drejt Orashjes së vogël dhe fshatit Shepshin.
Në Dubonë, ai qëlloi një polic të ri dhe motrën e tij, dhe më pas plagosi rastësisht disa persona të tjerë në oborrin e shkollës. Sipas banorëve, i dyshuari ishte problematik dhe djalë i një ushtaraku.
Megjithatë, askush nuk e priste një krim të tillë. Njëri prej banorëve është shprehur se ka menduar se ishte një festë.
“Si ndihemi? Të tmerruar, të tmerruar, u mbyllëm në shtëpi që të mos na vinte pas. Nuk e dinim se ku ishte. Thonë se ka qenë i armatosur dhe kur ka vrarë këta fëmijë këtu ka vazhduar të qëllojë nga makina.”, - tha një banor tjetër.
Të gjithë të plagosurit u transportuan në spitalet e afërta dhe dy janë ende në rrezik për jetën.
Vuçiq pas vrasjeve masive kërkon kthimin e dënimit me vdekje
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e quajti vrasjen masive një “akt terrorist” dhe tha se kryesi nuk do ta shohë më kurrë dritën e diellit dhe kurrë nuk do të largohet nga burgu. Ai shpalli “çarmatimin pothuajse të plotë të Serbisë”.
“Qeveria do të sjellë vendim urgjent pa procedura që do të duhej të prisnim 17 muaj për përgaditjen e ndryshimeve të ligjit për armë dhe municion me të cilin do të ashpërsohen masat për mbajtjen e armëve të shkurtëra, ndërsa për ata që nuk i plotësojnë kushtet pas ashpërsimit të masave, të arrestohen. Të gjithë ata 400 mijë njerëz që kanë armë, nuk flas për ato të gjuetisë, do të kalojnë nëpër revizion dhe nuk do të mbeten më shumë se 30 deri në 40 mijë.”, - theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Gjobat për armët pa leje do të jenë aq të larta sa thuajse do t’i dyfishojmë”, tha Vuçiq. Ai po ashtu i ka propozuar qeverisë që të kthejë dënimin me vdekje, por kundër një vendimi të tillë janë shprehur kryeministrja, Ana Brnabiq dhe kabineti i saj qeveritar. (Flutura Latifi, TVM2)
