Maqedoni
RMV 30 vite në Kombet e Bashkuara, Kovaçevski: Jemi shembull i zgjidhjes së çështjeve të hapura
05.05.2023 15:44
Maqedonia e Veriut është shembull i zgjidhjes së çështjeve të hapura, brenda shtetit por edhe me fqinjët...

Maqedonia e Veriut është shembull i zgjidhjes së çështjeve të hapura, brenda shtetit por edhe me fqinjët, duke marrë vendime tejet të rëndësishme, ka deklaruar kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Me rastin e shënimit të 30 vjetorit të anëtarësimit në organizatë, kryeministri tha se vendi brenda këtyre viteve në fokus ka pasur dhe vazhdon të ketë respektimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik.
“Marrëveshjet e nënshkruara të Ohrit dhe Prespës, si dhe marrëveshja për fqinjësi të mirë janë vërtetim i përkushtimit të vazhdueshëm për vendosjen e rrugës për zhvillim të vendit drejt dialogut të hapur. Maqedonia e Veriut ka një brend të posaçëm të diplomacisë të dëshmuar nëpërmjet dialogut konstruktiv që të zgjidhen çështjet e hapura, ndërkaq të gjitha këto çështje ishin identitare. Nëse ka ndonjë vend në botë ku diplomacia funksionon për zgjidhjen e çështjeve identitare, atëherë kjo është Maqedonia e Veriut. Para tridhjetë viteve dhe tani, ambiciet tona janë akoma të njëjta: respekt për të drejtat fundamentale dhe liritë e njeriut, demokraci dhe zhvillim ekonomik dhe zgjidhje të çështjeve të përbashkëta që tangojnë planetin tonë.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Sipas kryeministrit, diplomacia e suksesshme e vendit vazhdon të jetë pjesë e storjes së Maqedonisë së Veriut tanimë edhe në procesin e integrimit. Kryesimi me OSBE-në sipas kreut të ekzekutivit vë vulën angazhimit të vendit për paqen e qëndrueshme brenda shtetit, duke e bërë edhe faktor të stabilitetit dhe nikoqir të bisedimeve të paqes të vendeve të tjera në rajon.
MERAL ISMAILI
