Qeveria, ligjet për korridorin 8 me flamur evropian
Pesë propozim-ndryshime ligjore të reja...

Pesë propozim-ndryshime ligjore të reja që kanë të bëjnë me ndërtimin e korridorit 8 dhe 10-D, të cilat i miratoi Qeveria do të dorëzohen në Kuvend me flamuj evropian.
Siç bëri të ditur zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, qëllimi i zgjidhjeve të reja ligjore është ndërtimi më i shpejtë dhe më i lirë i korridoreve.
“Duke parë bllokimin e qartë dhe pengmarrjen e ligjeve nga opozita dhe duke marrë parasysh interesat e qytetarëve, qeveria miratoi pesë propozim-ligje që do t’i dorëzojë në Kuvend. Duke marrë parasysh se BE-ja, në hartën e korridoreve e vendosi Korridorin 8 dhe rëndësinë e saj gjeostrategjike, bashkë me korridorin 10-D, si dhe për shkak të debatit të gjatë në opinion, vendosëm që ligjet të propozohen me flamur evropian.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
Bëhet fjalë për ndryshime ligjore në ligjin për shpronësim, ligjin për marrëdhënie pune, ligji për ndërtim dhe ai për planifikim urban. Me këto ndryshime ligjore sipas ministrave deputetët duhet të vendosin se në çfarë drejtimi do të shkojë shteti.
“Me propozim-ligjin për shpronësimin, nuk do të ketë shpronësim të ndërtimeve të jashtëligjshme. Familjeve që jetojnë në ato objekte, do t’u mundësohet, nëse nuk e kanë të përfunduar procedurën e legalizimit, të dislokohen me qira në objekt tjetër.”, - theksoi ministri i financave, Fatmir Besimi.
“Ndryshimi i ri është që projekti i plotë urbanistik për ndërtesat me interes strategjik i dorëzohet Qeverisë dhe Qeveria e miraton projektin urbanistik ose mund të mos e miratojë atë projekt urbanistik. Dhe po e përsëris, kjo procedurë vlen vetëm për objektet me interes publik, të rëndësisë kombëtare që janë të vendosura me ligj të veçantë ose me vendim të Qeverisë. Për sa i përket Ligjit për ndërtim, ne pranojmë një model të ri të ndërtimit me faza, ku i japim të drejtën kontraktorit të projektojë në të njëjtën kohë dhe menjëherë të ndërtojë.”, - u shpreh ministri i transportit dhe lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.
“Për shkak të nevojës për vazhdimësi në punën e këtij projekti, vendoset nevoja për punë jashtë orarit, e cila mund të zgjasë më shumë se tetë orë në javë dhe 190 orë në vit. Punëtorët mbrohen me Ligjin e Punës dhe çdo orë jashtë orarit do të paguhet 35% sipas ligjit dhe marrëveshjes kolektive. Çdo punëtor do të nënshkruajë një deklaratë nëse dëshiron të punojë jashtë orarit dhe nëse nuk dëshiron, nuk do të detyrohet të punojë jashtë orarit.”, - theksoi zëvendësministri për punë dhe politikë sociale, Enver Husein.
Projekti për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10-D do të kushtojë 1.5 miliardë euro, kurse nëse në rastin se votohen këto ndryshime ligjore do të kushtojë 1.3 miliard euro, thanë autoritetet. (Ersan Pajaziti, TVM2)
