Shoqata e Akushereve, akusheret në Shkup të mbingarkuara me punë, Mexhiti: Largimi i kuadrit, problem i madh i shëndetësisë
Akusheret në Klinikën e gjinekologjisë dhe akusherisë në Shkup....

Akusheret në Klinikën e gjinekologjisë dhe akusherisë në Shkup janë të mbingarkuara me punë, thonë nga Shoqata e akushereve. Sipas kësaj shoqate, ato janë të angazhuara në 250 lindje në vit, përkatësisht 14 akushere brenda vitit marrin pjesë në mbi 3.500 lindje apo dy herë më shumë nga ajo që është e paraparë nga OBSh.
“Edukimi i akushereve duhet të jetë adekuat dhe kualitativ, t’i arrijë aftësitë e nevojshme në fund të shkollimit të saj. Duhet t’i posedojnë të gjitha kompetencat për t’u përballur me situatat e rrezikshme për jetë në sallat e lindjes, të përgjigjen për dy jetë, vet ta sjellin vendimin në moment çfarë duhet bërë ose të thërrasin gjinekologun nëse akusherja nuk mundet e vetme të përballet me situatën.”, - deklaroi nënkryetarja e Shoqatës së Akushereve, Tanja Trajkovska.
Në konkursin për punë nuk është paraqitur asnjë akushere, prandaj në shkollën e mesme të mjekësisë është ndërmarrë nisma për hapjen e një paraleleje për akushere, thotë ministri i shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Po ashtu, ka edhe mungesë të infermiereve, pasi nga spitali 8 Shtatori, brenda një viti janë larguar nga puna 70 infermiere.
“Problem i madh në shëndetësi është largimi i kuadrit, prandaj tërë kohën apeloj dhe jam këtu që të përballemi me të gjitha sfidat. Po marrim masa për këtë periudhë prej dy muajsh sa jam ministër, por siç e dini, shëndetësia ka probleme të shumta dhe po përpiqemi t’i zgjidhim.”, - theksoi Fatmir Mexhiti.
Qindra mjek janë larguar nga vendi, prandaj Ministria e Shëndetësisë po përgatit strategji për mbajtjen e kuadrit në spitalet e vendit. (Belinda Koka - Ademi, TVM2)
