Lavrov: Do të kundërpërgjigjemi ndaj sulmit në Kremlin

05.05.2023 17:24

Rusia kërcënon Ukrainën me kundërveprime....

Rusia kërcënon Ukrainën me kundërveprime pas pretendimeve ruse për sulme me dron në Kremlin. Kreu i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, akuzoi se sulmet janë bërë me mbështetjen e Uashingtonit.

“Është e qartë se ishte një akt armiqësor. Është absolutisht e qartë se terroristët nga Kievi nuk mund ta kishin kryer atë pa dijeninë e pronarëve të tyre. Dhe ne do të përgjigjemi, jo me biseda, por me veprime konkrete. Nuk presim më incidente apo provokime.”, - deklaroi ministri i jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov.

Kirby: Sulmi në Kremlin, gënjeshtër e Rusisë

ShBA mohon pretendimet ruse dhe i quajti ato thjesht gënjeshtra.

“E di që ka pasur shumë pyetje në 24 orët e fundit në lidhje me këtë sulm të supozuar me dron në Kremlin. Ne ende po përpiqemi të mbledhim informacione për atë që ka ndodhur. Një gjë që mund t'ju them me siguri është se Shtetet e Bashkuara nuk u përfshinë në asnjë mënyrë në këtë incident, në kundërshtim me gënjeshtrat e Peskov. Rusia vazhdon të zhvillojë një luftë brutale kundër popullit ukrainas dhe ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën derisa ata mbrojnë vendin e tyre kundër këtij agresioni.”, - theksoi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

Ndërkohë, ndihmëssekretari i përgjithshëm i NATO-s për Sigurinë, Kutler, ka paralajmëruar se ekziston një rrezik i konsiderueshëm që Rusia të sulmojë infrastrukturën kryesore në Evropë ose Amerikën e Veriut.

Sipas shërbimit për shtyp të presidentit rus, Vladimir Putin, natën e 3 majit, Kievi u përpoq të sulmonte rezidencën presidenciale me dy dronë, të cilët u rrëzuan. Nga incidenti nuk ka të lënduar. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)