Ukrainë, “Wagner” paralajmëron largim nga Bakhmuti
Themelues i grupit paraushtarak rus “Wagner”....

Themelues i grupit paraushtarak rus “Wagner” në Rusi, Yevgeny Prigozhin, tha në një njoftim të papritur se forcat e tij do të largohen nga qyteti ukrainas i Bakhmutit, të cilin ata po përpiqeshin ta pushtonin që nga vera e kaluar.
Prigozhin tha se ata do të largohen më 10 maj për shkak të humbjeve të mëdha dhe furnizimeve të pamjaftueshme me municione.
"Unë deklaroj në emër të luftëtarëve “Wagner”, në emër të komandës “Wagner”, se më 10 maj 2023, ne jemi të detyruar t'i transferojmë pozicionet në vendbanimin Bakhmut në njësitë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe t'i tërheqim trupat e mbetur të “Wagnerit” në kampet e logjistikës”, tha Prigozhin në një deklaratë.
"Unë po i tërheq njësitë “Wagner” nga Bakhmuti, sepse në mungesë të municioneve, ato janë të destinuara të humbasin në mënyrë të pakuptimtë.", shtoi ai.
“Wagner” ka qenë në krye të përpjekjes së Rusisë për të kapur Bakhmutin që nga vera e kaluar, në betejën më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës në Ukrainë, që nisi në shkurt të vitit 2022.
Nuk ishte e qartë nëse deklarata e Prigozhinit mund të merret seriozisht, pasi ai ka postuar shpesh komente impulsive në të kaluarën. Vetëm javën e kaluar ai tërhoqi një deklaratë që tha se e kishte bërë si “shaka”.
