OKB, alarmante numri i fëmijëve të vrarë në Sudan

05.05.2023 20:37

Kombet e Bashkuara paralajmëruan se një numër i madh fëmijësh....

Kombet e Bashkuara paralajmëruan se një numër i madh fëmijësh po vdesin në konfliktin e Sudanit, duke vënë në dukje raportet që tregojnë se shtatë fëmijë vriten ose plagosen çdo orë.

"Siç u frikësuam dhe siç paralajmërohej, situata në Sudan është bërë fatale për një numër të madh fëmijësh.", u tha gazetarëve në Gjenevë, James Elder, zëdhënës i agjencisë së OKB-së për fëmijë, UNICEF.

Ai tha se agjencia ka marrë raporte nga një partner i besuar, ende i pa verifikuar në mënyrë të pavarur nga OKB-ja se 190 fëmijë u vranë dhe 1.700 u plagosën vetëm në 11 ditët e para të konfliktit që filloi më 15 prill.

Ai vuri në dukje se ata numra janë mbledhur nga institucionet shëndetësore në Kartum dhe rajonin e Darfurit.

Kjo do të thotë se mbulon vetëm fëmijët që arritën në institucionet e kujdesit shëndetësor në ato zona, tha ai, duke paralajmëruar se "realiteti ka të ngjarë të jetë shumë më i keq".

Qindra njerëz janë vrarë dhe qindra mijëra janë larguar nga shtëpitë e tyre në Sudan që nga fillimi i betejave tri javë më parë midis forcave të shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan dhe Forcave të Reagimit të Shpejtë (RSF) të ish- zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo.