Botë
Bomba fosfori mbi Bahmut
06.05.2023 14:26
Ukraina e ka akuzuar Rusinë se ka kryer sulme me fosfor në qytetin e Bahmutit...

Në disa pamje të realizuara me dronë, të cilat i ka publikuar ushtria ukrainase, Bahmuti shihet në tym, i cili besohet se ka qenë fosfor i bardhë, duke rënë mbi qytet.
Armët me fosfor të bardhë nuk janë të ndaluara, mirëpo përdorimi i tyre në zonat e banuara me civilë, konsiderohet krim lufte.
Armë të tilla krijojnë zjarre të shpejta, të cilët vështirë lokalizohen.
Ministria ukrainase e Mbrojtjes, ka thënë se sulmi me fosfor ka shënjestruar “zonat e papushtuara të Bahmutit, me municion ndezës”.
Grupi ndërkombëtar për të drejta të njeriut, Hjuman Rajts Uatç ka paralajmëruar se kjo lëndë kimike “njihet për plagët e rënda që shkakton”.
Rusia është akuzuar edhe në të kaluarën se ka përdorur armë të tilla, sidomos në përleshjet në qytetin tjetër ukrainas, Mariupol.
Forcat ushtarake ruse kanë tentuar të kapin Bahmutin që disa muaj, pavarësisht pikëpyetjeve që ekzistojnë për rëndësinë e tij strategjike.
