Botë
OBSH: Covid-19 s’është më emergjencë globale
06.05.2023 15:10
Organizata Botërore e Shëndetësisë uli vlerësimin e saj për pandeminë e koronavirusit...

Organizata Botërore e Shëndetësisë uli vlerësimin e saj për pandeminë e koronavirusit, duke thënë se ajo nuk kualifikohet më si një emergjencë globale.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebrejesus tha se pandemia ka qenë "në një tendencë rënieje për më shumë se një vit, me imunitetin e popullsisë në rritje nga vaksinimi dhe infeksioni."
Kjo, tha ai, ka lejuar shumicën e vendeve "të kthehen në jetën normale si përpara COVID-19”, që do të thotë se pjesa më e keqe e pandemisë ka përfunduar.
Tedros tha se gjatë vitit të kaluar, OBSH-ja dhe ekspertët e komisionit të saj të urgjencës kanë analizuar të dhënat e COVID-19 për të vendosur se kur do të ishte koha e duhur për të ulur nivelin e alarmit.
Të enjten, ekspertët i rekomanduan kreut të OBSh-së që COVID-19 të mos kualifikohet më si një emergjencë globale dhe Tedros tha se ai e pranoi atë këshillë. Megjithatë, pandemia ende nuk është shfuqizuar.
“Virusi do të vazhdojë të qëndrojë këtu dhe mijëra njerëz vazhdojnë të vdesin çdo javë. Mbetet rreziku i shfaqjes së varianteve të reja që shkaktojnë rritje të reja të rasteve dhe vdekjeve," tha Tedros.
Në prill, kishte rreth 3 milionë raste dhe më shumë se 17,000 vdekje të raportuara, duke përfshirë rritje në Azinë Juglindore dhe Lindjen e Mesme, vuri në dukje agjencia e Kombeve të Bashkuara.
Për këtë arsye sipas OBSH-së ende është e paqartë se kur do të përfundojë pandemia.
FITIM KRYEZIU
