Botë
Tragjedi në Dallas, vrau tetë persona në një qendër tregtare
07.05.2023 13:13
Të paktën tetë persona kanë mbetur të vrarë nga një sulm i armatosur në një qendër tregtare në Dallas të Teksasit...

Të paktën tetë persona kanë mbetur të vrarë nga një sulm i armatosur në një qendër tregtare në Dallas të Teksasit. Siç është bërë e ditur nga dëshmitarët e rastit, një person ka shtënë me armë drejt kalimtarëve, i cili më pas është qëlluar nga policia.
Policia tha se e qëlluan për vdekje të armatosurin dhe besojnë se ai veproi i vetëm. Qindra njerëz u evakuuan nga qendra tregtare në qytetin Allen, pasi dëshmitarët okularë përshkruan një burrë që qëllonte pa dallim drejt kalimtarëve.
Disa nga viktimat janë fëmijë, ndërsa shtatë persona të tjerë janë duke u trajtuar në spital për shkak të lëndimeve të rënda. Shefi i zjarrfikësve të Allen, Jonathan Boyd, tha se shtatë persona, përfshirë personin e armatosur, u shpallën të vdekur në vendngjarje dhe dy vdiqën më vonë në spital.
Një oficer policie "dëgjoi të shtënat, shkoi te të shtënat, angazhoi të dyshuarin dhe e neutralizoi të dyshuarin", tha shefi i policisë Allen, Brian Harvey.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott e përshkroi të shtënat si një "tragjedi të patregueshme" dhe tha se shteti ishte i gatshëm të ofronte çdo ndihmë për autoritetet lokale. Sipas një zëdhënësi të spitalit, mosha e viktimave varion nga 5 deri 51 vjeç. Në SHBA deri më tani këtë vit ka pasur të paktën 198 të shtëna masive në të cilat dhjetëra persona mbetën të vrarë.
Allen ka rreth 105,000 banorë dhe është 20 milje (32 km) në veri të Dallasit qendror. Shumica e të rriturve të moshës 21 vjeç e lart në Teksas lejohen të mbajnë një pistoletë pa licencë, përveç nëse kanë një dënim të mëparshëm. Përveç kësaj, ka pak kufizime për posedimin e pushkëve dhe armëve gjahu. Republikanët kontrollojnë legjislaturën e shtetit të Teksasit.
FITIM KRYEZIU
