Maqedoni
Qentë endacak sulmojnë nxënësit në Butel, një nxënëse ka përfunduar në spital
07.05.2023 15:25
Dy nxënëse të Shkollës Fillore “Petar Zdravkovski-Penko” në Butel të Shkupit janë sulmuar nga një tufë...

Dy nxënëse të Shkollës Fillore “Petar Zdravkovski-Penko” në Butel të Shkupit janë sulmuar nga një tufë e qenve endacak duke shkuar në shkollë. Ata duke ikur janë rrëzuar dhe njëra prej tyre aktualisht ndodhet në spital me lëndime të rënda, ndërsa vajza tjetër e ka lënduar këmbën.
Nxënësja apelon që institucionet kompetente të marrin masa urgjente për qentë endacak, sepse shkaktojnë rrezik në shoqëri.
“Në atë moment u kam thënë shoqeve të mia ejani të vrapojmë se mund të ndodhë më keq dhe duke vrapuar jemi rrëzuar. Shoqja ime e ka humbur vetëdijen, në spital ndodhet. Unë e kam lënduar këmbën, por dua ta paraqes këtë punë se nuk është normale që mos t’i largojnë qentë dhe t’i lënë që të sulmojnë, jo vetëm fëmijët ,të rinjtë, të gjithë. Unë jam traumatizuar, tash po të shoh ndonjë qen, nuk dua të kaloj andej dhe në shkollë po shkoj me traumë.”, - tha një nxënëse.
Nga komuna e Butelit thonë se obligimi për t’u marr me qentë endacak i takon ndërmarrjes publike “Laika”.
“Ne si komunë ballafaqohemi me këtë problem dhe i kemi duart e lidhura, sepse kompetenca është e ndërmarrjes publike “Laika”. Ata janë të obliguar për kapjen e qenve që dalin në vendet e banuara në qytetin e Shkupit dhe komunat tona.”, - thanë nga komuna e Butelit.
Edhe nga Komuna e Çairit thonë që kompetencat për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacak i ka ndërmarrja publike “Laika”.
Problemi me qentë endacak ka kohë që shqetëson qytetarët. Ata thonë se duhet zgjidhur ky problem sa më parë, sepse çdo ditë ballafaqohen me incidente të ndryshme.
Qytetarët e anketuar shprehen pesimist për zgjidhjen e problemit të kahmotshëm me qentë endacak. Thonë se qentë endacak i sjellin nga komunat e tjera në komunën e Çairit duke shkaktuar problem sidomos për fëmijët.
“Kjo punë nuk është e sodit apo djeshme, moti kohë është. Mua personalisht nuk më ka ndodhur ndonjë kafshim prej qenve, por ka raste. Edhe qytetarët janë pak fajtorë, ata i nxjerrin sikur i ruajnë, sikur u ndihmojnë atyre diçka në realitet ata vetëm po mblidhen më shumë. Duhet të ndërmerret diçka, pak komuna të ndihmojë më tepër.”, - tha një qytetar.
“Unë jam pronar i lokalit këtu dhe kam parë situatën si vijon. Dikush nga komuna të tjera i bie qentë endacak dhe i shkarkon këtu. Janë të rrezikshëm, duhet të ndërmerret diçka.”, - tha një qytetar tjetër.
“Mua si e vogël më ka sulmuar një qen dhe ende kam frikë prej tyre, largohem kur t’i shoh.”, - u shpreh një qytetare.
“Institucionet kompetente duhet ta bëjnë këtë t’i largojnë apo t’i strehojnë qentë endacak. Ne edhe po të flasim, a ka kush na dëgjon?”, - u shpreh një qytetare tjetër.
Probleme me qentë endacak kanë edhe komunat tjera të vendit, ku po ashtu ka pasur raste kur janë sulmuar qytetarët.
VLORA LATIFI STOPOJANI
