Maqedoni
Deponia e egër në Nikushtak, Arifi: Ndërmarrja rajonale është zgjidhja
07.05.2023 16:53
Gjithsecili që kalon rrugës së vjetër Kumanovë – Shkup, përskaj rrugës rajonale në fund të fshatit Nikushtak...

Gjithsecili që kalon rrugës së vjetër Kumanovë – Shkup, përskaj rrugës rajonale në fund të fshatit Nikushtak i bie në sy deponia e egër ku grumbullohen mbeturinat nga Komuna e Likovës.
Kjo deponi jo vetëm që shkatërron atë pejzash të mrekullueshëm, por edhe paraqet rrezik për banorët e fshatrave të përafërta, sidomos kur u vihet zjarri mbeturinave dhe tymi i dendur bartet në fshatrat e këtushëm.
Me këtë problem banorët përballen ndër vite. Por, si duket, kësaj i ka ardhur fundi, sepse siç paralajmëron kreu i Komunës së Likovës Erkan Arifi, me themelimin e Ndërmarrjes së Përbashkët Ndërkomunale do të krijohet deponi e përbashkët ku do të hidhen mbeturinat nga komunat e rajonit verilindor planor.
“Deponia në f.Nikushtak, gjendet në një vend që n'a pengon të gjithëve, në vazhdimësi bëjmë përpjekje maksimale që ajo të pastrohet rregullisht, me mundësitë që i ka N.K.P. "Pisha". E dijmë se kjo nuk është zgjidhje. Megjithatë më shumë na gëzon fakti për zgjidhjen afatgjate , e cila do të ndodh në nivel të rajonit verilindor planor, pasi më veç është themeluar ndërmarrja e përbashkët ndërkomunale, për të cilin projekt janë siguruar mjetet financiare, nga Ministria Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe ajo e Financave, ku secila komunë që i përket këtij rajoni do i kryen obligimet e veta, e ne si Komunë e Likovës, më veç i kemi kryer të gjitha obligimet dhe detyrimet, prandaj edhe presim sa më parë që të finalizohet dhe ky problem që n'a tangon të gjithëve të marr fund njëher e përgjithmonë”, deklaroi, Erkan Arifi, kryetar i komunës së Likovës.
Ndryshe, në disa vendbanime të kësaj komune, qytetarë të pandërgjegjshëm hedhin vend e pa vend mbeturina, duke krijuar kështu deponi të egra, një ndër to ishte edhe deponia e egër, e cila pati shëmtuar pamjen në hyrje të pendës së Likovës, por fatmirësisht Komuna e Likovës në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore, po rregullojnë infrastrukturën rrugore nga fshati Likovë e deri te Penda e Likovës, me çka u bë kanalizimi fekal e atmosferik, ujësjellësi, vendosja e skajoreve si dhe u mbollën fidane të reja duke pastruar dhe pamundësuar hedhjen e mbeturinave.
FATLUM AQIFI
