Botë

Armë dhe municion për Ukrainën, BE me plan për rritjen e prodhimit të armëve

07.05.2023 17:59

BE ka paraqitur një plan, i cili parashikon zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit...

BE ka paraqitur një plan, i cili parashikon zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit të armëve përtej 12 muajve të ardhshëm.
 
“Industria europiane e mbrojtjes duhet të mendohet si të kalojë në prodhimin e ekonomisë së luftës”, është shprehur Thieri Breton, komisioner i BE për industrinë e mbrojtjes dhe tregun e brendshëm në Bruksel.
 
Bëhet fjalë për zgjerimin e prodhimit aktual, modernizimin e prodhimit e ngritjen e fabrikave të reja të prodhimit, ka thënë funksionari i lartë i BE.
 
Sipas planit të ri të BE do të ndahen deri në 500 milionë Euro nga buxheti i përbashkët i unionit. Disa projekte të tjera do duhet të bashkëfinancohen nga vendet anëtare, e për to do të jenë në dispozicion edhe 500 milionë Euro të tjera.
 
Komisioneri i BE shpreson që propozimi të miratohet deri në qershor. Iniciativa e re e shtrirë për dy vjet do t’u mundësojë vendeve anëtare të marrin para nga fondi miliardësh i BE i rindërtimit pas Koronës.
 
Ky plan i BE-së bazohet në tre shtylla, shtylla e parë parashikon që vendet e BE të dërgojnë armë në Ukrainë nga rezervat e tyre, shtylla e dytë parashikon sigurimin e përbashkët të municionit për Ukrainën.
 
Nga ana tjetër industria e prodhimit është e rezervuar, kur bëhet fjalë për rritje masive të kapaciteteve të prodhimit, të cilat shpejt pas përfundimit të luftës do duhet të reduktohen sërish. Iniciativat e BE dhe NATO-s duan t’i japin një sinjal industrisë së armatimit, se investimi ia vlen. 
 
BE vërtet po ecën në rrugë të reja, po jo të gjithë janë dakord që fondet e BE që u parashikuan për të rimëkëmbur ekonomitë e BE pas pandemisë dhe mbështetur vendet më të varfra të BE-së, tani të përdoren për industrinë e armatimit.
 
Martina Mishels, deputete e Parlamentit Europian për Partinë e Majta kritikon këtë aspekt të planit të BE-së, duke pohuar se në asnjë mënyrë ato mjete nuk duhet të përdoren për armatim. 
 
LEUNORA KALIQI