Raportimi i dhunës në MASH, arrijnë dhjetëra porosi

08.05.2023 11:59

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës....

Raportimi i dhunës në MASh, arrijnë dhjetëra porosi

Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton  se në adresën [email protected], gjatë dy ditëve të fundit kanë arritur dhjetëra porosi. Disa prej tyre i referohen dhunës mes  bashkëmoshatarëve.

Edhe fati i platformës sociale “Tik-Tok” në Maqedoninë e Veriut aktualisht ndodhet në duart e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. I pari i këtij institucioni, Jeton Shaqiri  tha se nuk përjashtohet ndalimi i tërësishëm i kësaj platforme pasi që sipas tij, kufizimi apo rregullimi i përdorimit të tij vetëm në objektet e shkollave nuk do ta zgjidhte problemin.

Ministria tashmë është duke përgatitur protokolle dhe udhëzime për shërbimet profesionale të shkollave dhe mësimdhënësve, lidhur me përdorimin e rrjeteve sociale në mjedisin shkollor.

“Në konsultim me komunitetin e ekspertëve, do të përforcojmë më tej programet parandaluese për të luftuar bullizmin, duke promovuar dialogun dhe jo dhunën si element kyç në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve. Vetëm me përpjekjet e përbashkëta të prindërve, por edhe  të gjithë faktorëve në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve mund të luftojmë për rini të shëndetshme dhe shkolla të sigurta.”, thonë mes tjerash nga MASh.

MASh për platformën “Tik-Tok”: Nuk përjashtohet ndalimi i tërësishëm

Ministri Shaqiri, po ashtu potencoi se “do të kërkojë nga institucionet që merren me sigurinë kibernetike të përgatisin raport në lidhje me atë se çfarë publikohet në këtë platformë, grupmoshat e përdoruesve dhe ngjashëm. Deri në përfundimin e këtyre analizave, do të shqyrtohet  ndalimi i përkohshëm i Tik-Tokut dhe pastaj nëse është e nevojshme, ndalimin e plotë pasi që nuk arrihet qëllimi në qoftë se ndalesa bëhet vetëm në objektet shkollore”, bëri të ditur ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri.