Marrëveshja e Minskut nuk respektohet, luftime në lindje të Ukrainës
48 orëshi i fundit nuk dha rezultate të mira në drejtim të respektimit të marrëveshjes së arritur më 15 shkurt në Minsk mes fuqive evropiane, Rusisë dhe Ukrainës...

Qeveria e Ukrainës dhe separatistët pro-rusë nuk kanë tërhequr armët e rënda nga vija e frontit dhe kanë vazhduar luftimet në lindje të vendit, ashtu edhe siç ishin dakorduar.
Raportet thonë se forcat qeveritare dhe rebelët kanë shkëmbyer zjarr në periferi të qytetit Debaltseve dhe pranë stacionit të tij të trenit. Ushtria ka thënë se trupat ukrainase kanë mbajtur pozicionet e tyre përkundër sulmeve të rebelëve. Por, sipas këtyre të fundit, forcat e tyre kontrollojnë pjesën më të madhe të qytetit. Kievi ka thënë se pesë ushtarë të saj janë vrarë dhe 14 janë plagosur, shumica e tyre në Debaltseve.
“Militantët dhe trupat ruse vazhdojnë të bombardojnë zonën e qytetit Debalsteve dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm strategjik. Në Debaltseve, terroristët kanë sulmuar një fortesë të forcave të operacionit anti-terrorist”- deklaroi zëdhënësi i Ushtrisë së Ukrainës, Andriy Lysenko.
Sipas zëdhënësit të Qeverisë gjermane, Steffen Seibert, liderët kanë biseduar në telefon mbrëmjen e së hënës dhe kanë kërkuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, që të ushtrojë ndikimin e tij te separatistët për zbatim të armëpushimit.
Sipas zëdhënëses së departamentit të shtetit, Shtetet e Bashkuara “janë seriozisht të shqetësuara me përkeqësimin e situatës në dhe përreth Debaltseves” dhe i kanë bërë thirrje Rusisë dhe “separatistëve që mbështet” që të ndalojnë menjëherë të gjitha sulmet.
Armëpushimi është negociuar nga Ukraina, Rusia, Gjermania dhe Franca, me qëllim që t’i jepet fund konfliktit në lindje të Ukrainës, i cili, qysh në prill të vitit të kaluar, ka marrë mbi 5,500 jetë njerëzish. Por, të dyja palët kanë thënë se nuk do të nisin me tërheqjen e armëve të rënda nga vija e frontit për shkak të sulmeve të vazhdueshme. (Leunora Kaliqi, TVM2)
