Sulmi në shkollën e Beogradit, dorëhiqet ministri i arsimit

08.05.2023 12:23

Ministri i Arsimit të Serbisë, Branko Ruzhiq...

Ministri i Arsimit të Serbisë, Branko Ruzhiq,  ka dorëzuar të dielën dorëheqjen e parevokueshme kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq. Ai shtoi se “pamjet dramatike të ngjarjeve nga shkolla, lotët e derdhur kur u shprehin ngushëllimet prindërve të pangushëllueshëm të fëmijëve të lënduar” do t’i mbajë në shpirt për jetë.

Dorëheqja e tij erdhi pas rastit të sulmit të të riut në një shkollë të Beogradit, ku vdiqën tetë nxënës dhe roja e shkollës. Ndërkohë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se autorët e krimeve në shkollën "Vladislav Ribnikar" dhe në Mlladenoc nuk do ta shohin më dritën e diellit, duke paralajmëruar burgim të përjetshëm për ta.

Në të dy sulmet e ndodhur brenda pak ditësh në Beograd, mbetën të vdekur 17 persona. Krahas uljes së pragut të përgjegjësisë penale nga 14 në 12 vjet, Vuçiq  tha se do të vazhdojnë diskutimet me ekspertë dhe shoqata për të parë se çfarë mund të bëhet tjetër.

MPB e Serbisë, me afat për dorëzimin e armëve, afati vlen deri më 8 qershor

Edhe  Ministria e Brendshme e Serbisë  u kërkoi të dielën qytetarëve të dorëzojnë të gjitha armët e paregjistruara ose do të përballen me dënimin me burg.

Individët që dorëzojnë armë, granata, municione dhe armë të tjera në pronësi të paligjshme midis 8 majit dhe 8 qershorit nuk do të përballen me asnjë akuzë penale, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Ata që nuk e respektojnë urdhrin do të përballen me ndjekje penale dhe mund të dënohen me shumë vite burgim, paralajmëruan zyrtarët e qeverisë serbe.