Maqedoni

Integrimet, Mariçiq: Grupi i punës është aktiv, afatin mund ta kapim

08.05.2023 16:08

Aktivitetet në grupin e punës për ndryshimet kushtetuese po vijojnë...

Aktivitetet në grupin e punës për ndryshimet kushtetuese po vijojnë, ndërsa përgjatë muajit pritet të finalizohet teksti i amendamenteve, thotë zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq. Përsërit se fokusi duhet të mbetet në kushtet e kornizës negociuese, ndërkaq sipas tij, çështjet tjera legjitime kanë kohë të presin. Mbajtjen e afatit të nëntorit, Mariçiq e hedh tek Kuvendi.
 
“Pres që sa më shpejt të jetë gati teksti i amendamenteve, për disa ditë apo javë, që të mundemi këtë muaj t’i shohim amendamentet në opinion, t’i diskutojmë, pastaj të dërgohen në parlament, kështu që, unë pres të arrihet afati në nëntor. Gjithsesi, dinamika varet nga Kuvendi, por vlerësoj se procedura duhet të filloj para pushimeve të verës.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Bojan Mariçiq.
 
Mickovski për ndryshimet kushtetuese: Nuk zhvendosemi, tema është mbyllur
 
Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja nuk lëviz nga qëndrimet për të mos u bërë pjesë e arkitekturës së ndryshimeve kushtetuese.
 
“Kjo për mua është temë e mbyllur. E kamë thënë në qëndrimet e mia shpesh se VMRO-ja me koalicionin  në  këtë përbërje parlamentare, në këto kushte nën diktimin bullgar, nuk do t’i mbështes ndryshimet kushtetuese.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Ambasadorja suedeze: Momentin e keni në dorë, luftojeni korrupsionin
 
Diplomatët e huaj me sinjal: “Është në dorën tuaj nëse dëshiroi të ecni drejt eurointegrimit. Ambasadorja suedeze vë theksin tek lufta kundër korrupsionin, që sipas saj  tret shoqërinë, demokracinë dhe vlerat shoqërore.
 
“Liderët politik të RMV-së do të vendosin vetë nëse vendi do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese në pajtim me marrëveshjen e vitit të kaluar. Momentumi është vlerë. Kur e keni e shfrytëzojeni! Shfrytëzoj rastin të them se korrupsioni është gërryes për shoqërinë. Ajo e dobëson demokracinë duke minuar besimin në institucione dhe  kërcënuar  funksionimin demokratik të institucioneve.”, - u shpreh ambasadorja e Suedisë, Ami Larsson Jain. 
 
Për ta përmirësuar fotografinë e jurisprudencës, Mariçiq paralajmëron një mini-plan ku do të përfshihen shumë organe shtetërore.
 
“Është e patjetërsueshme që në periudhën e ardhshme të  bëjmë ca hapa të lidhura me përforcimin e politikës për luftimin e korrupsionit dhe përforcimin e gjyqësorit. Ka edhe mekanizma të tjerë që mund t’i bëjë qeveria dhe gjyqësori dhe secili duhet ta bëjë punën e vet.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Bojan Mariçiq.
 
Sipas zëvendëskryeministrit Mariçiq, vetëm Komisioni për Antikorrupsion nuk ka kapacitete që si e vetme  ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU