Programit D10, shpallje për punësimin e 30 fëmijëve paprindër
Nëpërmjet programit D10 do të punësohen edhe 30 fëmijë të cilët deri në moshën 18 -vjeçare kanë pasur statusin e fëmijëve paprindër dhe papërkujdesin prindëror...

Shpallja, siç bëri të ditur Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, është në rrjedhë e sipër dhe do të jetë e hapur deri më 4 mars të këtij viti.
“Me ndihmën e shtetit mund të krijohet një ardhmëri më e sigurt, një fat më i mirë për këta fëmijë të cilët në të kaluarën nuk e kishin edhe aq ardhmërinë e sigurt. Do të kenë mundësi të sigurojnë punë të rregullt me të ardhura të rregullta, që më vonë jo vetëm vetes t’i ndihmojnë, por edhe shtetit, të bëhen punëtorë të mirë dhe ne si qeveri në vazhdimësi do t’i përkrahim fëmijët paprindër dhe kujdes prindëror në Fshatin SOS”- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
Këtë prononcim ministri Spasov e bëri gjatë vizitës së tij në Fshatin SOS të Fëmijëve, prej ku shpresojnë se do të ketë më shumë punësime për këtë kategori të qytetarëve.
“Falë këtij programi kanë filluar punësimet e të rinjve paprindër dhe kujdes prindëror dhe deri më tani janë punësuar dy të rinj prej institucionit tonë dhe shpresojmë që këtë vit të punësohen edhe më shumë të rinj që i plotësojnë kriteret”- tha udhëheqësja në Fshatin SOS, Violeta Georgievska.
Ky program realizohet prej vitit 2013 dhe bashkë me shpalljen e fundit në Administratën Publike do punësohen gjithsej 143 persona paprindër dhe kujdes prindëror. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
