Kuvend, miratohet Ligji për Mjekësi Alternative

17.02.2015 17:05

Parlamenti miratoi sot Ligjin për Mjekësi Plotësuese dhe Alternative që rregullon një numër çështjesh të cilat kanë të bëjnë kryesisht me sistemin, organizimin dhe zbatimin e metodave dhe procedurave të mjekësisë plotësuese dhe alternative...

Ky ligj ka për qëllim krijimin e një mekanizmi që do të lejojë pacienti të jetë i mbrojtur nga individë të pakualifikuar ose për të siguruar trajtimin maksimal të sigurt dhe t’i mundësohet që pacienti të ketë të drejtë për të zgjedhur trajtim bazuar në informacione të sakta dhe të plota. Kuvendi dha mbështetje për më shumë zgjidhje ligjore në lexim të parë.

Në mesin e tyre edhe për propozim-ligjin për procedurë administrative, propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspeksionin Administrativ dhe propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese.

Ndërkohë, deputetët kishin paqartësi rreth projekt-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Komunikim Elektronik, që ka për qëllim forcimin e kushteve dhe kritereve gjatë përzgjedhjes së drejtorit dhe anëtarëve të komisionit, ndryshime të cilat parashohin edhe test psikologjik.

“Janë gjëra të tepërta dhe unë personalisht mendoj se shkaktojnë subjektivizëm te të gjithë ata të cilët duhet të konkurrojnë dhe të jenë në këto vende pune. Mendoj se ministria përkatëse do të gjejë mirëkuptim dhe në leximin e dytë do të gjejmë një kompromis mbi zgjedhjen e drejtorit dhe mbi një test psikologjik nga këta persona, sepse e shoh të panevojshëm një testim të tillë”- deklaroi Mirsada Emini-Asani nga BDI.

“Mendoj që bëhet fjalë për keqkuptim të vogël, gjegjësisht bëhet fjalë për test psikologjik e jo për test psikiatrik. Pra, nuk bëhet fjalë për përcaktim se a është kandidati i agjencisë i sëmur, por bëhet fjalë për biznes-psikologji. Pra, përmes këtij testi pretendohet të shihet kapaciteti strategjik për zgjidhjen e problemeve, sjelljen e vendimeve, për punë ekipore etj”- tha zëvendësministrja e Shoqërisë Informatike, Marta Arsovsksa-Tonovska.

“Po, ka shumë ingerenca nga sfera e së drejtës, ekonomisë, por pikërisht për këtë ekzistojnë ekipet. Nëse është ashtu siç thoni ju, atëherë mos e quani test psikologjik, sepse ne vendet evropiane ka test, po ai zbatohet gjatë intervistës dhe aty shihet mundësia për punë ekipore dhe lidership”- theksoi deputetja e pavarur, Roza Topuzova-Karevska.

Disa deputetë vlerësojnë se testimi psikologjik gjatë përzgjedhjes së drejtorit dhe anëtarëve të komisionit është i panevojshëm. (Sanije Kasami, TVM2)