Serbi, mijëra vetë protestojnë kundër dhunës

09.05.2023 11:28

Dhjetëra mijëra serbë u mblodhën në Beograd të hënën...

Dhjetëra mijëra serbë u mblodhën në Beograd të hënën, duke kërkuar më shumë siguri, ndalim të shfaqjes së përmbajtjes së dhunshme në televizione dhe dorëheqjen e ministrave kryesorë, disa ditë pas dy sulmeve në masë, që lanë pas vetes 17 të vrarë.

Protestuesit dhe mbështetësit e opozitës kërkuan mbylljen e stacioneve televizive dhe tabloideve të cilët i akuzojnë për shfaqje të përmbajtjes së dhunshme dhe vulgare. Partitë opozitare dhe disa grupe të të drejtave të njeriut akuzojnë presidentin Aleksandar Vuçiç për autokraci, shtypje të lirisë së medias, dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

Presidenti Vuçiq dhe aleatët e tij i mohojnë këto akuza. Protestuesit kërkuan gjithashtu dorëheqjen e ministrit të brendshëm Bratislav Gashiç dhe drejtorit të Agjencisë shtetërore të sigurisë, Aleksandar Vulin, si dhe shkarkimin e Komitetit Rregullator të Qeverisë për Median Elektronike (REM) brenda një jave.

Protestuesit kërkuan gjithashtu një seancë të jashtëzakonshme parlamentare dhe një debat rreth situatës së përgjithshme të sigurisë. Në përgjigje të sulmeve, policia serbe shpalli të hënën një amnisti njëmuajshe për dorëzimin e armëve të paligjshme. Ajo tha se mbi 1.500 armë u dorëzuan në ditën e parë. Përveç ligjeve ekzistuese për përdorimin e armëve, presidenti Vuçiq shpalli kontrollet policore të pronarëve të armëve të regjistruara.