Maqedoni

Vazhdoi gjykimi për nënën nga Dibra, në seancë u dëgjua një dëshmitare

09.05.2023 14:46

Sot vazhdoi gjykimi për nënën nga Dibra, e cila në gusht të vitit 2020 ka mbetur pa tre organe gjatë lindjes...

Sot vazhdoi gjykimi për nënën nga Dibra, e cila në gusht të vitit 2020 ka mbetur pa tre organe gjatë lindjes, ku të akuzuar janë 3 doktorë. Seanca filloi me dëgjimin e dëshmitares së thirrur, infermieres nga spitali i përgjithshëm i Strugës, Sarita Peshinoska. Gjatë dëshmisë ajo tha se nëna, Yildëz Veaposka, ankohej për dhimbje, por dëshironte të largohej nga spitali. Mjekja kujdestare, e akuzuara e tretë, nuk e ka lënë të shkojë, por ka bërë analiza dhe ka thirrur mjekun e parë të akuzuar, kështu që lehona është dërguar në dhomë për një operacion tjetër. Ndërsa, Veaposka tha se ka dashur të largohet për të kërkuar ndihmë në një spital tjetër, sepse ka pasur dhimbje të mëdha. Ajo sot i ka bërë thirrje ministrit të shëndetësisë që të marrë masa për këtë rast dhe t'u heqë licencat mjekëve të akuzuar.
 
“Kam një thirrje për ministrin e shëndetësisë, pasi i sheh të gjitha rastet për anesteziologun, për Janën, për vogëlushin, të ketë dëgjim dhe që çështja ime të reagojë në dhomën e mjekësisë, të kërkojë heqjen e licencave të këtyre mjekëve që ma bënë këtë mua.", - theksoi lehona nga Dibra, Jëlldëz Veaposka.
 
Në seancën e radhës do të dëgjohen ekspertët e mjekësisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Sipas avokatit të të dëmtuarit, këta do të jenë dëshmitarët kyç që do të sqarojnë dilemën e ndodhur gjatë operacionit. 
 
“Këtu do të ketë pak taktikë, sepse mbrojtja ka dorëzuar ekspertizat e veta, të cilat bien ndesh me ekspertizat e mjekësisë ligjore. Këtu një rezultat i parashikueshëm i vendimit të gjykatës do të jetë sigurimi i një supereksperti, i cili do të rëndojë procedurën, por ne jemi gati për këtë, sepse e dimë se çfarë ka ndodhur gjatë operacionit.”, - u shpreh avokati i të dëmtuarës, Sasho Janev. 
 
Tre të akuzuarit, doktor Muhamed Asani, djali i tij, Blerton Asani dhe doktoresha Liljana Jovanovska akuzohen për krime të rënda kundër shëndetit të njerëzve. Në seancën e parë thanë se nuk ndihen fajtor. Ndërsa, seanca e radhës për këtë rast do të jetë më 21 qershor.
 
ILMIE ZHAKU