Maqedoni
“Transparency International”, vetëm 10% e aktiviteteve kundër korrupsionit
09.05.2023 15:06
Raporti i fundit i “Transparency International” për prillin 2023 tregon se vetëm dhjetë për qind...

Raporti i fundit i “Transparency International” për prillin 2023 tregon se vetëm dhjetë për qind e aktiviteteve të parapara në Strategjinë kombëtare për luftë kundër korrupsionit janë zbatuar në vitin 2022. Ky fakt tregon se sfida e luftës kundër korrupsionit në RMV është ende e madhe dhe se duhen marrë masa të menjëhershme për ta rritur efektivitetin e institucioneve në luftën kundër kësaj dukurie. Në raport, kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit Biljana Ivanovska, pohon se një nga arsyet për realizimin e ulët të aktiviteteve është përkushtimi i dobët i institucioneve. Kjo nuk duhet të jetë surprizë për askënd, pasi që shumë herët ka qenë e qartë se institucionet në Maqedoni kanë shumë vështirësi në zbatimin e masave kundër korrupsionit.
“Vitin e kaluar janë kryer vetëm dhjetë për qind e aktiviteteve të parapara në Strategjinë katërvjeçare për luftën kundër korrupsionit. Shkak për këtë zbatim të ulët të strategjisë kombëtare, është përkushtimi i dobët i institucioneve, ndërrimet e shpeshta të ministrave, administrata partiake.”, - deklaroi kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska.
Në prill të këtij viti, raportet e mediave kanë përmendur disa ngjarje të turbullta në Maqedoni. Një prej tyre është rasti me "Titanik 2", ku i akuzuar është Sasho Mijallkov. Vjetërsimi i kësaj vepre sipas raportit është joefikasiteti i sistemit gjyqësor. TI po ashtu ka theksuar një raport të revizorit të pavarur të Operatorit të Sistemit të Energjisë Elektrike të Maqedonisë (MEPSO) për vitin 2021, i cili sipas tyre ka zbuluar parregullsi të mëdha. Në raportin e TI është theksuar edhe shkarkimi i kryetares së Këshillit Gjyqësor, si dhe reagimi i Këshillit të Prokurorëve Publikë ndaj qëndrimit të prokurores, Lençe Ristovska.
SEDAT SELIMI
