20 policë të vrarë në Afganistan

17.02.2015 17:48

Së paku 20 policë janë vrarë pasi militantët e kanë sulmuar një shtab në një provincë lindore të Afganistanit....

Sipas Din Mohammad Darwish, zëdhënës i provincës Logar, katër kamikazë kanë qenë të përfshirë në sulmin, gjatë të cilit pos të vrarëve janë plagosur edhe tetë policë.

Ai tha se të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe, sipas tij, numri i të vdekurve mund të rritet. Abdul Wali, anëtar i këshillit provincial, tha se sulmuesit kishin qenë të veshur me rroba të policisë dhe për këtë arsye nuk ishin kontrolluar nga personeli i sigurimit.

Sulmi ka ndodhur pak orë pasi talibanët vranë gjashtë policë gjatë një sulmi në një pikë kontrolli në Kandahar. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)