Plenumi Studentor fton ministrin e Arsimit të debatohet në “zonën akademike”
Bojkot të mësimit dhe “zonë autonome” shpallën gjatë ditës së sotme edhe studentët e Fakultetit Pedagogjik, Fakultetit “Shën Klimenti i Ohrit” nga Manastiri dhe Fakultetit të Makinerisë dhe Pylltarisë në Shkup...

Nga Fakulteti Pedagogjik thonë se përkrahin Plenumin Studentor që po zgjeron okupimin e fakulteteve dhe revolta e tyre ka të bëjë me ligjin ekzistues të arsimit sipëror, e sidomos me kriteret tejet rigoroze të Akademisë për Mësimdhënës.
“I bëjmë thirrje qeverisë që të ndryshojë qëndrimet dhe të mos hapet pedagogjia akademike. Për të vazhduar këtë akademi duhet të arrijmë mesataren 8, por ndodh që ndonjëherë pa fajin tonë të mos e arrijmë këtë mesatare, po sërish dëshirojmë që të avancojmë njohuritë tona, të vazhdojmë studimet dhe jo të kufizohemi me akademinë pedagogjike dhe ta kemi barrierë atë dhe mesataren e arritur”- deklaroi studentja, Radmilla Kmetovska.
“Jam studente e Fakultetit Pedagogjik “Kliment Ohridski”. Siç e dini edhe ju, prej sot nuk do të mbahet më ligjërata”- tha një studente.
Ndërkohë, stafi pedagogjik pranë Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare është në vendin e tij të punës dhe po mban ligjërata me një numër të vogël të studentëve, ndërsa pjesa e konsiderueshme e studentëve okupojnë fakultetet. Kështu vlerëson shefi i Katedrës së Albanologjisë, Agim Leka, sipas të cilit, i tërë kuadri mësimdhënës në këtë katedër përkrah kërkesat e Plenumit të Studentëve dhe Profesorëve. Vërejtja e tij ka të bëjë me mënyrën e miratimit të Ligjit për Arsim Sipëror.
“Ne kemi vërejtje sa i përket qasjes, mënyrës së sjelljes së ligjit pa na konsultuar, pa na pyetur. Ne në fakt e dimë se ai na përket neve, sepse çdo ndryshim eventual i ligjit duhet të fillojë nga instanca më të ulëta, ato janë katedrat, fakultetet, e pastaj instancat më të larta, ministria etj”- deklaroi shefi i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, Agim Leka.
Ndërkohë, studentët bëjnë thirrje për bashkëngjitjen edhe më masovike të studentëve dhe ftojnë ministrinë të debatojë në “zonë akademike” dhe jo në ministri.
“Duhet të kontribuohet për këtë lëvizje, për një të ardhme më të mirë, për mirëkuptim dhe mirëqenie të studentëve të Maqedonisë, pavarësisht se çfarë religjioni apo etniteti i takojnë”- theksoi një student.
“Vendoset për një ligj për arsimin e lartë, pse në klub të gazetarëve, deputetëve, në një zonë akademike pa dallim se a do të jetë këtu, ne nuk kërkojmë vetëm këtu të jetë, nëse nuk do ministri që të vijë këtu, mund të jetë te rektorati, mund të jetë biblioteka “Goce Dellcev”, pse jo”- potencoi një studente.
Nga Plenumi Studentor bëjnë të ditur se do të vazhdojnë me okupimin e fakulteteve deri në realizimin e kërkesës së tyre për tërheqjen e Ligjit të Arsimit Sipëror. (Flutura Latifi, TVM2)
