USHT, shënoi 20 vjetorin e ligjëratave të para
Universiteti Shtetëror i Tetovës shënoi përvjetorin e 20 të fillimit të ligjëratave të para...

Kjo datë u shënua me aktivitete të ndryshme nga drejtuesit e USHT-së. Një delegacion i kryesuar nga rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, gjatë ditës kanë vendosur kurora lulesh tek busti i dëshmorit, Abdylselam Emini, dhe kanë bërë homazhe tek varri i rektorit historik të Universitetit të Tetovës, prof.dr.Fadil Sulejmani.
Po ashtu është vizituar Muzeu i USHT-së në fshatin Poroj. Më 17 shkurt të vitit 1995, në mektepin e xhamisë së fshatit Poroj u mbajtën ligjëratat e para, ndërsa po të njëjtën datë në Reçicë të vogël nga forcat policore ra dëshmori i parë i arsimit shqip, Abdylselam Emini. Për nderë të 17 shkurtit, ditës së ligjëratave të para, u mbajt një akademi solemne.
Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, tha se kjo datë është një ditë shumë e veçantë për shqiptarët e Maqedonisë.
“Kjo datë shënon ditën më të ndritshme të arsimit sipëror në gjuhën shqipe dhe ditën e veçantë për shqiptarët e Maqedonisë, sepse vendimi historik për themelimin e universitetit me mësim në gjuhën shqipe ishte një hap historik dhe vizionar për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të çështjes së arsimit sipëror në gjuhën shqipe, në Republikën e Maqedonisë, ndërsa fillimi i ligjëratave të para shënon datën e fitores së madhe të arsimit mbi padrejtësitë shekullore, shovinizmin dhe barbarinë mbi arsimin në gjuhën tonë amtare. Në historinë e tij 20 vjeçare, universiteti ynë shënoi të arritura kolosale në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës, përkundër problemeve të shumta me të cilat u ballafaqua gjatë këtij rrugëtimi”- deklaroi rektori i USHT-së, prof.dr.Vullnet Ameti.
Profesori, Ejup Ajdini, përkujtoi momente nga fillimi i ligjëratave të para, duke u fokusuar më së shumti në rëndësinë e kësaj date, ndërsa në emër të studentëve të gjeneratës së parë të Universitetit të Tetovës foli profesori, Dashmir Idrizi.
“Një ditë para ligjëratave të para, më 15. 02. 1995, në tubimin e frikshëm e madhështor, në Reçicë të Vogël erdhi nga Amerika diplomati e kongresisti amerikan, Gjozepe Diogardi, për të përcjellë për së afërmi vuajtjet dhe krenarinë kombëtare të gjakut të vet dhe në anën tjetër të ndjek dhunën dhe ligjet fashizoide të asaj kohe, që ishin tërbuar kundër Universitetit të Tetovës, simbolikë kjo e cila nënkuptoi se Diogardi erdhi për të paralajmëruar se Universiteti i Tetovës ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”- tha ligjëruesi në USHT, prof.dr. Ejup Ajdini.
“Unë si ish-student i këtij institucioni dhe tani si ligjërues ndjej përgjegjësinë që këtu para jush, periudhën historike të UT-së, tani USHT-së, ta ndaj në 4 periudha kohore: themelimi, koha e errët kur pushteti i asaj kohe në nëntor-dhjetor të vitit 2000, me vendim të Qeverisë së Maqedonisë mbështet projektet e komisionerit të lartë të OSBE-së për minoritet, Maks van Der-Shtul, për themelimin e një institucioni të ri privat të shkollimit të lartë, i cili do të quhej UEJL, qëllimi i të cilit ishte zëvendësimi i UT-së. Por, fatmirësisht sot për të mirën e studentëve ekzistojnë të dy institucionet”- u shpreh ligjëruesi në USHT, dr.sc.Dashmir Idrizi.
Megjithëse përvjetori i ligjëratave të para të USHT-së përkon me 7 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, në emër të universitetit dhe në emrin e tij gjithë shqiptarëve u përcolli urimet më të përzemërta për këtë përvjetor të pavarësisë, duke shtuar se shqiptarët, kudo që janë, brenda dhe jashtë trojeve etnike, e nderojnë këtë ditë të madhe, ditën kur Kosova ligjëroi mëvetësinë e saj, më 17 shkurt 2008. (Miftar Emini, TVM2)
