Maqedoni
Gjykimi për rastin e Modularit, shtyhet sërish seanca gjyqësore
10.05.2023 13:40
Është shtyrë edhe sot gjykimi nga Gjykata Themelore e Tetovës, për rastin e Modularit...

Është shtyrë edhe sot gjykimi nga Gjykata Themelore e Tetovës, për rastin e Modularit, ku humbën jetën 14 persona, e njëjta u anulua, për arsye se avokati i të akuzuarit, Artan Etemi, ish-drejtori ekonomik është i sëmurë. Edhe pse sot është dashur të jepet fjala përfundimtare nga Gjykata e Tetovës, për rastin e Modularit, e njëjta është hera e dytë që shtyhet pasi mungojnë herë të akuzuarit e herë avokatët mbrojtës. Seanca e radhës pritet të mbahet me 29 maj.
Procedura e dëshmive në procesin gjyqësor ka përfunduar me dëshmitarët e fundit të cilët janë dëgjuar me datën gjashtë të muajt prill. Në seancën e fundit pas përfundimit të dëshmive, gjykatësi Jordan Vellkovski i pyeti avokatët, nëse të akuzuarit do të deklarojnë për të cilën mbrojtësit u përgjigjën se të akuzuarit nuk do te japin deklarata.
Të akuzuar janë ish-drejtorët Florim Besimi, Artan Etemi, të cilët ngarkohen për vepër penale "Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme", kurse mjeku Boban Vuçevski, për “mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë". Ndërsa, spitali klinik i Tetovës, si person juridik ngarkohet për dy vepra, së pari për “Shkaktim te rrezikut publik" dhe "Mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë". Të gjithë të akuzuarit në fillim të gjykimit kanë theksuar se nuk e kuptojnë akuzën dhe se nuk ndjehen fajtor. Gjykimi për të akuzuarit filloi vitin e kaluar.
VISAR SADIKU
