Transformimi digjital i komunave mundëson shërbime efikase për qytetarët
Digjitalizimi i komunave duhet të jetë proces....

Digjitalizimi i komunave duhet të jetë proces paralel në nivel qendror dhe lokal për të ofruar shërbime më të mira dhe më të shpejta për qytetarët, tha ministri i vetëqeverisjes lokale, Risto Penov.
Në kushtet e decentralizimit, komunat janë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve shumë të rëndësishme për qytetarët dhe për të arritur këtë qëllim, është e nevojshme që procesi i digjitalizimit të jetë i koordinuar dhe i integruar. Ministri Penov theksoi se qytetarët janë të interesuar në fund të fundit për shërbimin që marrin dhe jo kush e ofron atë.
“Tani jemi në një fazë ku na duhet një qasje më sistematike dhe në vend të komunës për komunë duhet të aplikojmë qasjen shërbim pas shërbimi. Në këtë mënyrë shërbimi është uniformë në të gjitha komunat dhe kostot për ofrimin e tij mund të ndahen nga të gjitha komunat përmes blerjes së pajisjeve të përbashkëta. Përveç efikasitetit, synimi i digjitalizimit të shërbimeve është reduktimi i hapësirës për korrupsion dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies.”, - deklaroi ministri i vetëqeverisjes lokale, Risto Penov.
Zëvendëskryeministrja Gërkovska theksoi se në vendin tonë ekziston një vullnet i fortë politik për të pranuar digjitalizimin dhe për të zhvilluar mjete të ndryshme për digjitalizimin e shërbimeve publike në nivel qendror dhe lokal.
“Digjitalizimi nuk është një zgjedhje, por një pashmangshmëri dhe nuk duhet të lejojmë që të ngecim prapa në këtë proces. Sa më shumë të përparojmë në zbatimin e zgjidhjeve të duhura në këtë fushë, aq më shpejt do të ndjejmë përfitimet në çdo nivel.”, - theksoi zëvendëskryeministrja, Sllavica Gërkovska.
Tryezë diskutimi "Transformimi digjital i komunave: sfidat dhe mundësitë" u organizua në kuadër të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara - UNDP dhe kishte për qëllim të adresojë sfidat dhe mundësitë e procesit të digjitalizimit në komunat e Maqedonisë së Veriut. (Sedat Selimi, TVM2)
