Johanes Han, në tentim për të vendosur dialogun politik
Për tejkalimin e ngërçit politik në vend të shkaktuar pas aferës “Puç” dhe bombave të liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, është angazhuar edhe komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Han...

Ai sot në Shkup zhvilloi takime maratone me përfaqësues të kreut më të lartë shtetëror. Gjatë takimit me presidentin, Gjorge Ivanov, eurokomisari Han është shprehur i gatshëm që të ndihmojë Maqedoninë në gjetjen e zgjidhjes për daljen nga situata e krijuar politike.
“Të gjitha partitë politike do të duhet të bëjnë debat politik në parlament, e jo jashtë parlamentit. Opozita të kthehet në parlament dhe atje të zgjidhen të gjitha çështjet politike”- ka porositur Han në takimin me Invanovin, bëjnë të ditur nga kabineti presidencial. Por, presidenti, Gjorge Ivanov, ka theksuar se subjektet politike do të duhet që të sillen me përgjegjësi në interes të qytetarëve dhe të shtetit. “Si një shtet demokratik do të duhet që të tregojmë pjekuri para sfidave të cilat paraqiten në shoqëri dhe të njëjtat do të duhet të zgjidhen nëpërmjet rrugës institucionale dhe dialogut të hapur”- ka thënë Ivanovi.
Han takoi edhe kryeministrin, Nikolla Gruevski. Takimi u zhvillua në rezidencën e BE-së në “Vodno” për më shumë se dy orë. Janë shkëmbyer mendime, ndërsa nuk ka pasur ndonjë propozim konkret nga asnjëra palë për daljen nga kriza politike, thotë kryeministri Gruevski.
“Jam këtu të mbështes vendin, ndonjëherë është më mirë të ketë dialog të ndërsjellë, me qëllim të arritjes së progresit”- tha Johanes Han.
“Ishte një mundësi e mirë në një bisedë më të gjatë ta informoj komisionerin për të gjitha ngjarjet dhe për të gjitha hapat që ne bëjmë në sektorë të ndryshëm, ne ekonomi dhe në sektorët tjerë dhe dëgjuam se si ata mendojnë për gjithë këtë, gjithashtu folëm për situatën aktuale politike. Ne ua thamë të vërtetën, gjegjësisht atë çfarë po ndodh. Ne kishim vetëm shkëmbim të mendimeve”- u shpreh kryeministri, Nikolla Gruevski.
Përpos Gruevskit, komisioneri Han ka dëgjuar edhe variantin e liderit të LSDM-së, Zoran Zaevit, i cili është shprehur se do të vazhdojë me publikimin e të gjitha dëshmive për shkelje të kushtetutës, me qëllim të normalizimit të shtetit.
Han, gjithashtu është takuar edhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, ndërsa në takimin me kryeparlametarin, Trajko Veljanovski, ka propozuar që deputetë të Parlamentit Evropian të angazhohen në tejkalimin e ngërçit politik në vend, gjë për të cilën kryeprlamentari është shprehur optimist se bashkëpunimet e tilla do të ishin frytdhënëse.
Han, autoriteteve të vendit ua ka bërë me dije se në interes të Komisionit Evropian është që Maqedonia sa më shpejt të nis bisedimet për anëtarësim me BE-në.
Në takimin me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Fatmir Besimin, Han ka thënë se komisioni evropian pret nga Maqedonia të punojë në tejkalimin e sfidave dhe t’i përmbahet agjendës së reformave.
Theks të veçantë i është vënë lirisë së shprehjes së mediave, gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfqinjësore, si dhe rritjes ekonomike dhe punësimeve.(Meral Ismaili, TVM2)
