Shqipëri, fushata për zgjedhje e 14 majit, ndër më të qetat

10.05.2023 15:22

Fushata elektorale për zgjedhjet e 14 majit....

Fushata elektorale për zgjedhjet e 14 majit, është cilësuar si ndër më të qetat deri më tani, por 24 orët e fundit kanë sjellë disa incidente dhe tentativa për blerje votash.

Kandidatit të PS për Hasin, Beqir Mulajt, i është djegur automjeti në mesnatë dhe policia dyshon se është e qëllimshme. Ekspertiza nuk ka dalë ende, por siç duket nga pamjet, makina është shkrumbuar. Vetë kandidati ka thënë për mediat se nuk ka konflikte me asnjeri.

Në Pukë, PD –ja e Sali Berishës denoncoi dhunën e ushtruar ndaj disa prej mbështetësve të opozitës për motive politike, por sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit.

Ndërkohë dy raste tentative shitblerje votash janë raportuar në Kuçovë dhe në Tropojë, për llogari të koalicionit Berisha-Meta. Një person është arrestuar dhe një tjetër po hetohet në gjendje të lirë, pas pazareve për vota.    

Në dijeni për raste të tilla është edhe ambasada amerikane, e cila u bëri thirrje autoriteteve të veprojnë.

“Zgjedhjet për 61 kryebashkiakë dhe kryetarë të këshillave bashkiakë mbahen këtë të diel dhe sipas sondazheve të para, epërsi ka Partia Socialiste në pushtet.”, - theksoi Yuri Kim nga Ambasada e ShBA-ve, Tiranë.

Gara më e fortë është në Shkodër dhe në Durrës, ku opozita ka shpresa se do të fitojë. (Luljeta Ndoka, TVM2)