Maqedoni

Kuvend, futen në procedurë ligjet për autostradat

10.05.2023 15:52

Janë futur në procedurë parlamentare 5 propozim-ligjet e nevojshme për fillimin e ndërtimit të korridorit 8 dhe 10-D....

Janë futur në procedurë parlamentare 5 propozim-ligjet e nevojshme për fillimin e ndërtimit të korridorit 8 dhe 10-D. Këto ndryshim-ligje, siç i propozon Qeveria, janë me flamurin evropian, e cila limiton procedurën e diskutimit dhe të miratimit. Kjo ka shkaktuar reagimin e opozitës maqedonase.                                                                   
 
“Me veprimet tuaja, ju jeni më afër realizimit të interesit tuaj biznesor dhe klanor, e në këtë mënyrë qytetarët çdo ditë po i largoni nga BE-ja. Ky nuk është fronti evropian për çka po flisni, ky është fondi kriminal evropian, sepse ju nuk po vlerësoni as qëndrimin e delegacionit që është shprehur për këtë dhe për këtë shkelje të rëndë të punës së Kuvendit, të njëjtat ligje përpos që kanë arritur me vonesë, ato nuk janë të përgatitura në bazë të procedurave ligjore, ndërsa ju me plotë vetëdije po vazhdoni t’i shkelni procedurat.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE- së, Nikolla Micevski.
 
“Me çka po pajtohemi ne këtu apo ndoshta me kriminalitetin tuaj po pajtohemi, sepse për sa i përket rregullativave të BE-së, aty nuk po pajtohemi në asnjë rast.”, - theksoi Boris Kërmov nga e Majta.                                                                                 
 
“Po ndodhë kriminalitet institucional, ku Parlamenti po i mbulon veprimet krimet të cilat do të pasojnë me zbatimin e ligjeve dhe të marrëveshjes në përgjithësi.”, - u shpreh deputeti i PLD-së, Pavle Trajanov.  
 
Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Xhaferi, sqaroi se të gjitha ligjet janë të përgatitura dhe dorëzuara në mënyrë ligjore dhe siç parasheh procedura e punës së Kuvendit, ndërsa për procedurën e shkurtuar ka vendosur plenumi. 
 
“Procedura e shkurtuar para fillimit të seancës dhe në vet seancë mund të propozohet nga propozuesi që të hyjë si rend i ditës dhe nuk është i ndërlidhur me afatin për të cilën ju thirreni, për atë arsye është paraparë dhe është sanksionuar që plenumi të vendosë për vënien në rend të ditës së procedurës së shkurtuar ose jo, sepse plenumi vendos për nevojat.”, - deklaroi  kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Kundër futjes së këtyre ligjeve në procedurë parlamentare është shprehur edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, sipas të cilit këto ligje po gjenerojnë borxhe për qytetarët, ndërsa zyrtarëve të lartë të Qeverisë po u mundësojnë ta realizojnë krimin dhe korrupsionin.
 
“Projekti për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10-D, projekt të cilin fuqishëm po e shtynë Qeveria e BDI-së, e përkrahur nga LSDM-ja nuk paraqet asgjë tjetër vetëm se një kapje e madhe kriminale e kësaj Qeverie. Dhe këto të fundit po e keqpërdorin emrin e Bashkimit Evropian vetëm atëherë kur duhet të vidhet diçka, ndërsa kur duhet diçka realisht të punohet, ato as për së afërmi nuk i ngjajnë zhvillimeve evropiane.”, - theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. 
 
Ndaj deklaratës së Mickoskit ka reaguar LSDM.
 
“Me gënjeshtra dhe manipulime Mickoski dhe Apasiev po udhëheqin një fushatë kundër ndërtimit të projektit strategjik me korridoret 8 dhe 10-D. Ndryshimet ligjore me flamur evropian kursejnë 150 milionë euro për qytetarët dhe një periudhë më të shkurtër ekzekutimi 2 vite dhe nuk zbatohen vetëm për korridoret 8 dhe 10-D, por edhe për projektet e financuara nga BE. Është e thjeshtë, Mickoski është kundër BE-së, Mickoski është kundër përparimit të vendit në përgjithësi”, theksojnë nga LSDM.
 
Në rend dite të kësaj seance janë propozim-ligji për përcaktimin e interesit publik dhe emërimin e partnerit strategjik për realizimin e projektit për ndërtimin e korridorit 8 infrastrukturor, në aksin Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe projekti për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qaf Thanë dhe korridorin 10 pjesa e autostradës Prilep – Manastir në procedurë të shkurtuar. Po ashtu, ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Urbanizëm, Ligji për Ndërtim, Ligji për Shpronësimin dhe Ligji për Marrëdhëniet e Punës, të gjitha me procedurë të shkurtuar. 
 
FITIM KRYEZIU