Maqedoni
Georgiev: Puna e Këshillit Gjyqësor do të jetë transparente
10.05.2023 16:51
Pas reagimit të një dite më parë të Shoqatës së gazetarëve, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev..

Pas reagimit të një dite më parë të Shoqatës së gazetarëve, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev, zotohet se do ta rrisë transparencën dhe llogaridhënien në punën e Këshillit. Megjithatë ai thotë se opinioni nuk ishte përjashtuar, pasi janë larguar vetëm kamerat, por jo edhe gazetarët.
“Unë jam vetëm tre ditë kryetarë i Këshillit Gjyqësor, ende nuk kam hyrë në kabinet, këtë e dinë kolegët e mi. Nuk meritoj qasje të tillë si njeri, gjykatës dhe kryetar i Këshillit Gjyqësor. Koha do të dëshmojë se do të kemi brifingje të rregullt, do të kemi deklarata, do të kemi transparencë, do të kemi përgjigje në pyetjet për të cilat ka interesim opinioni.”, - deklaroi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev.
Georgiev tha se në mbledhjen e parë, për shkak të kushteve në sallë, është vendosur që kamerat të mos jenë brenda, por vetëm gazetarët. Por, pas ShGM-së kanë reaguar edhe nga Agjencia për shërbime mediale duke theksuar se është me rëndësi që ekipeve të gazetarëve duhet t’u mundësohen kushtet për informim nga ngjarje me rëndësi për opinionin.
“Sjellja e këtillë joprofesionale ndaj mediave, kontribuon për të hedhur hije ndaj transparencës së gjyqësorit, por edhe për shkeljen e të drejtës së opinionit që të jetë tërësisht i informuar për punën e gjyqësorit.”, thuhet në reagimin e Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuese.
Ndërsa, nga platforma e organizatave qytetare për luftë kundër korrupsionit kanë kërkuar dorëheqje nga të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor. Nga ana tjetër, opozita ka kërkuar debat në Kuvend rreth zhvillimeve të fundit në Këshillin Gjyqësor, pas shkarkimit të Damevës dhe zgjedhjen e Georgievit në krye të Këshillit Gjyqësor.
FARIJE DAUTI BAKIJU
