Maqedoni

BDI: VMRO dhe Levica bllokojnë mbi 500 milionë euro

11.05.2023 15:57

Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një komunikate ka reaguar për bllokimin e punës së Kuvendit...

Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një komunikate ka reaguar për bllokimin e punës së Kuvendit nga ana e partive opozitare maqedonase, asaj të VMRO-DPMNE-së dhe Levica, duke i përkufizuar si parti që në thelb janë anti-evropiane, anti-NATO dhe anti-amerikane. BDI thotë se ka përfunduar koha e pengmarrjes së Kuvendit. 
 
“VMRO-DPMNE dhe Levica, në mënyrë aktive dhe të qëllimshme, po bllokojnë mbi 500 milionë euro të dedikuara për projekte në interes të qytetarëve nga institucionet financiare evropiane. Në të njëjtën kohë, VMRO-ja punonte në mënyrë aktive kundër Marrëveshjes së Prespës dhe anëtarësimit në NATO, nuk e mbështetur referendumin, siç edhe po vepron kundër Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë apo Marrëveshjes së Ohrit, përmes rezistencës ndaj Ligjit për Gjuhët. BDI, po ashtu angazhohet për ndryshime kushtetuese dhe vazhdimin e rrugës evropiane të vendit përmes konsensusit kombëtar dhe pajtimit social.”, - thuhet në komunikatën e BDI-së. 
 
Sipas partisë shqiptare në pushtet, VMRO dhe Levica janë burim lajmesh të rreme dhe propagande. Të gjitha pretendimet e deritanishme të koalicionit VMRO-DPMNE dheLevica janë vërtetuar si TË RREJSHME! Përfundoi pengmarrja e Kuvendit nga VMRO-DPMNE dhe Levica!”, thuhet në kumtesën e BDI-së
 
Ditë më parë, VMRO ka akuzuar BDI-në dhe LSDM-në se po keqpërdorin emrin e Bashkimit Evropian, si dhe po bëjnë shkelje të rëndë të punës së Kuvendit për të miratuar ligje, të cilat janë në kundërshtim me procedurën e Kuvendit. Miratimi i këtyre ligjeve nuk është asgjë tjetër përpos një kapje e madhe kriminale e kësaj Qeverie, akuzuan nga VMRO-DPMNE. 
 
FITORE DEMOLLI