Botë
Lufta në Ukrainë, trupat ruse tërhiqen rreth Bakhmutit
11.05.2023 19:15
Ukraina thotë se forcat e saj kanë ndaluar me sukses një sërë sulmesh në qytetin e Bakhmutit...

Ukraina thotë se forcat e saj kanë ndaluar me sukses një sërë sulmesh në qytetin e Bakhmutit, duke i detyruar trupat ruse të tërhiqen në pjesë të qytetit lindor, derisa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u zotua se trupat ukrainase do të rimarrin çdo pjesë të tokës së pushtuar nga Rusia.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha në përditësimin e tij të përditshëm, më 11 maj, se mbrojtësit ukrainas kishin zmbrapsur 39 sulme ruse në vijën e frontit Bakhmut-Avdivka-Marinka gjatë 24 orëve të fundit.
Gjenerali ukrainas, Oleksandr Syrskiy, komandant i forcave tokësore të Ukrainës, tha se forcat ruse ishin tërhequr deri në 2 kilometra në disa zona të Bakhmutit.
Ai shtoi se operacionet efektive të mbrojtjes së Ukrainës në Bakhmut kishin luftuar trupat mercenare “Wagner”, duke detyruar zëvendësimin e tyre me trupa të rregullta më pak të trajnuara, të cilat u mundën dhe u detyruan të largoheshin.
Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit privat mercenar rus “Wagner”, pohoi se disa kilometra nga territori i vijës së parë u humbën pasi forcat e rregullta të ushtrisë ruse u larguan përballë luftimeve të ashpra në Bakhmut. Prigozhin ka thënë se grupi i tij pësoi humbje prej rreth 500 burrash.
