Konflikti Rusi-Ukrainë, nisi kundërsulmi i forcave ukrainase

12.05.2023 14:20

Sirenat kanë rënë në lindje të Ukrainës...

Sirenat kanë rënë në lindje të Ukrainës. Luftimet e ashpra vazhdojnë në Bakhmut. Kievi konfirmon një përparim efektiv në pjesën lindore të qytetit dhe tërheqjen e forcave ruse. Konfirmimi i kundërofensivës ukrainase vjen edhe nga kreu i grupit paraushtarak “Wagner”.

“Zelensky luan me dinakëri. Kundërofensiva është në ecje të plotë. Forcat ukrainase po përparojnë në Bakhmut dhe për fat të keq, në disa zona, ata po e bëjnë këtë me sukses.”, - deklaroi komandanti i “Wagner”, Yevgeny Prigozhin.

Mbrojtja ruse e mohon informacionin. Situata ushtarake në Bakhmut është nën kontroll. Kremlini thotë se ata kanë arritur "pjesërisht" qëllimet e tyre në Ukrainë.

“Forcat e Moskës kanë kapur zona të rëndësishme në rajonin Donbass të Ukrainës dhe ne kemi qenë mjaft të mirë në mposhtjen e makinerisë ushtarake. Operacioni i posaçëm ushtarak do të vazhdojë edhe më shumë për të parandaluar kthimin e armikut.”, - theksoi zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov.

Britania ka paralajmëruar raketa lundrimi për Ukrainën, ndërsa Moska ka kërcënuar me një përgjigje ushtarake. Deri më tani, 20 miliardë dollarë ndihmë ushtarake nga Perëndimi kanë hyrë në Kiev. Presidenti Zelensky, gjithashtu shpreson të bashkohet shpejt me familjen evropiane. Ai paralajmëroi një reformë të madhe në drejtësi.

"Ne duhet të ofrojmë një sistem që garanton drejtësinë dhe sundimin e ligjit në vendin tonë, në përputhje me qëllimin tonë për t'u bashkuar shpejt me BE.", - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Uashingtoni është i shqetësuar pas deklaratës së ambasadorit amerikan në Republikën e Afrikës së Jugut se vendi furnizon Rusinë me armë. Vitin e kaluar, një anije ruse u ngarkua fshehurazi me armë në Kejptaun.

"Shtetet e Bashkuara janë seriozisht të shqetësuara për ankorimin e një anijeje mallrash ruse të sanksionuar në një port detar të Afrikës së Jugut dhjetorin e kaluar. Ne i kemi ngritur këto shqetësime drejtpërdrejt me disa zyrtarë të Afrikës së Jugut.”, - deklaroi zëvendës zëdhënësi i Departamentit të shtetit të ShBA, Vedant Patel.

Presidenti i Afrikës së Jugut është i zhgënjyer nga pretendimet e pabazuara, por shtoi se çështja është duke u hetuar.

“Hetimi është në vazhdim dhe dua që ju të lejoni që ky proces të japë rezultate. Tema është duke u shqyrtuar dhe ne do të mund të flasim për të me kohë.”, - theksoi presidenti i Republikës së Afrikës së jugut, Cyril Ramaphosa.

Republika e Afrikës së Jugut është një nga aleatët më të rëndësishëm të Rusisë në Afrikë, por ajo ka mbetur neutrale dhe ka abstenuar nga votimi për rezolutat e OKB-së për luftën në Ukrainë. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)