Vazhdon debati për korridoret, VMRO: Marrëveshja për korridoret, e dëmshme

12.05.2023 15:13

Me akuza dhe kundërakuza ka vazhduar debati....

Me akuza dhe kundërakuza ka vazhduar debati në Komisionin për çështje për Evropiane rreth propozim-ligjeve për ndërtimin e korridoreve. VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin se nuk do të përkrah këto ligje, pasi sipas tyre qeveria ka nënshkruar një marrëveshje të dëmshme, pasojat e të cilës do t’i vuajnë qytetarët.

“Është gënjeshtër ajo që me miratimin e këtyre ligjeve, ndërtimi do të jetë më e shpejtë dhe më e lirë, por është tentim i dikujt që të pengohen harxhime plotësuese, pasi kemi marrëveshje të keqe. Dikush as nuk e ka lexuar marrëveshjen dhe e ka nënshkruar dhe pasi e kanë parë se çfarë do të ndodhë, tani improvizojnë. E gjithë kjo është improvizim, pasi dikujt nuk ka menduar për shtetin, por për porositë e Kovaçevskit dhe Artan Grubit.”, - deklaroi Toni Jarevski nga VMRO-DPMNE.

LSDM: Korridori sjell zhvillim dhe mirëqenie

Nga LSDM akuzojnë se VMRO-DPMNE është peng i së Majtës dhe Dimitar Apasievit. Është e turpshme, sipas LSDM-së, që të bllokohet një projekt i cili do të sjellë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie më të madhe për qytetarët.

“Kemi shansin që për katër vite e shtatë muaj të kemi 110 kilometra autostradë të re. Gjatë 31 viteve, në këtë shtet janë ndërtuar 180 kilometra. Nëse kjo nuk është histori, atëherë nuk e di çfarë është histori. Por, për të sjellë vendime historike duhet të kesh guxim dhe vizion. Asnjëherë nuk keni pasur guxim.”, - theksoi Martin Kostovski nga LSDM.

BDI: Projekti nuk ndalet, albanofobia nuk kalon më

Nga BDI thonë se çështje e korridorit është punë e kryer dhe nuk do të mund të ndalet. Thonë se VMRO vetëm po bllokon projektin për shkak se lidh vendbanimet shqiptare.

“Ju keni qenë kundër marrëveshjes së Ohrit. Keni mundur ta ndalni dhe s’do mund ta ndalni. Keni qenë kundër marrëveshjes së Prespës, s’keni mundur ta ndalni. Keni qenë kundër marrëveshjes së ligjit për gjuhët, s’keni mundur ta ndalni. Çdo gjë të cilën jeni kundër e keni të pabazë. Mundimi që deputetët t’i ndani në baza etnike se kush kë përkrah dhe çfarë përkrah është i kotë, se albanofobia juaj nuk kalon më.”, - u shpreh Bajram Kadrija nga BDI.

E për VMRO-DPMNE-në, këto pretendime të BDI-së janë banale dhe të papranueshme. Përndryshe, Qeveria dorëzoi në Kuvend pesë projektligje: ligjin për marrëdhëniet e punës, atë për planifikimin urban, për ndërtim, ligjin për shpronësimet dhe ligjin për përcaktimin e interesit publik, për t'u miratuar pas një procedure të shkurtuar, gjë që opozita e kundërshton ashpër. (Ersan Pajaziti, TVM2)