Johanes Han: Tejkaloni situatën me vullnet të mirë, në parlament
Të gjithë liderët politik të bashkëpunojnë me vullnet të mirë për tejkalimin e situatës aktuale, e cila nuk shkon në dobi të përpjekjeve për zbatimin e reformave në vend dhe të angazhohen për dialog konstruktiv në parlament, me fokus në prioritetet strategjike të vendit dhe të qytetarëve të saj...

Kjo theksohet në deklaratën me shkrim të eurokomisarit për politikë fqinjësore dhe negociata për zgjerim, Johanes Han, të publikuar një ditë pas vizitës së tij të parë zyrtare në Shkup.
"Sundimi i drejtësisë, të drejtat themelore të njeriut dhe liria e mediave janë në thelbin e procesit të inkuadrimit drejt Bashkimit Evropian dhe për to nuk ka diskutim"- ka theksuar Han dhe në këtë kontekst ka shprehur gjithashtu shqetësim të thellë në lidhje me raportet për përgjim të mijëra qytetarëve dhe ka bërë thirrje që kjo të hulumtohet rrënjësisht.
Me këtë rast, ai ka kërkuar që “veprimet hulumtuese të zbatohen me respektim të plotë të parimeve të mosanshmërisë, prezumimit të pafajësisë, transparencës, ndarjes së pushtetit dhe pavarësisë së gjyqësisë”.
Han, ka shprehur mbështetje për mediat që të raportojnë lirisht për çështjet që janë me interes publik. Gjatë takimeve që Han zhvilloi dje në Shkup me përfaqësues të politikës dhe të shoqërisë civile, është shprehur shqetësimi serioz i BE-së për situatën momentale politike në vend.
Komisioni Evropian është në kontakt me autoritetet sa i përket pasojave nga përmbytjet, vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, si dhe nevojat dhe mundësitë për mbështetje nga ana e Bashkimit Evropian, thuhet në kumtesën e pres-shërbimit të KE-së. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
