Maqedoni

Gjykata Penale, anulohet sërish gjykimi ndaj "Zhan Mitrev"-it

12.05.2023 15:35

Edhe kësaj radhe nuk filloi procesi gjyqësorë për kardiologun, Zhan Mitrev...

Mbrojtja e të akuzuarit edhe më tej kërkon më shumë kohë për të shqyrtuar lëndën dhe provat. Sipas tyre bëhet fjalë për 10.000 faqe, të cilat pala mbrojtëse duhet t’i shqyrtojë për një afat kohor të shkurtër, ndërsa një pjesë e dëshmive nuk u janë dorëzuar.
 
“Na u deshën disa orë që të bindim gjykatën dhe prokurori publik nuk kundërshtoi, që të na lejojnë që të shqyrtojmë lëndën, me qëllim të mundemi të përgatisim mbrojtjen. Mbrojtja për këtë lloj të lëndës kërkon 30 ditë pune, i merr 15, ky është gjyqësori jonë.”, - deklaroi avokati i Zhan Mitrevit, Nikolla Dodevski.
 
Prokurorja publike mohon akuzat e avokatëve mbrojtës. Sipas saj mbrojtja i posedon të gjitha dëshmitë dhe se këto kërkesa për anulime  të seancave i sheh si tentim për t'iu shmangur gjykimit.
 
“Prokuroria publike qëndron në aktakuzën e dorëzuar, jemi të bindur në forcën e provave që do t’i parashtrojmë para gjykatës. Ky tentim për ikje nga gjykimi, me siguri ka të bëjë me frikën e fillimit të gjykimit dhe ballafaqimit me dëshmitë.”, - theksoi prokurorja publike, Iskra Haxhivasileva.
 
Para fillimit të seancës gjyqësore, Zhan Mitrevi është pritur me duartrokitje dhe brohoritje nga ish-pacientët. Përqafime dhe komente nga ana e pacientëve se është mjeku më i mirë.
 
“Jam këtu në mbrojtje të Zhan Mitrevit, ky shtet që njëherë e përgjithmonë të fillojë të funksionojë si shtet juridik. Ai ka shpëtuar mijëra jetë, përfshirë këtu edhe fëmijë.”, - tha një qytetar.
 
“Japim mbështetje për Zhan Mitrevin, ai nuk është njeri, është engjull. Kjo që po bëhet ndaj një mjeku me renome është turp.”, - tha një qytetar tjetër.
 
Mbrojtja e familjarëve të viktimave nuk e arsyeton organizimin e mbledhjes së qytetarëve para gjykatës në mbështetje të Zhan Mitrevit. Tha se drejtësia dëshmohet në gjykatë dhe jo jashtë saj.
 
“Ky është institucion ku duhet të vërtetohet nëse ekziston apo jo vepër penale, por jo në këtë mënyrë. Nuk mundet që ne të barazojmë të dëmtuar me mbështetësit. Të dëmtuarit janë persona që kanë humbur jetë e që janë të etur të kuptojnë të vërtetën.”, - u shpreh avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
 
Aktakuza ndaj Zhan Mitrevit nuk ka të bëjë me faktin se pacientët në klinikën “Zhan Mitrev” kanë vdekur nga hemofiltrimi dhe trajtimi i pakujdesshëm. Akuza i referohet fshehjes së fakteve kyçe rreth hemofiltrimit, metodë e cila u paraqit si alternativë për trajtimin e pacientëve me Covid 19.
 
FLORIJE KAMBERI