Maqedoni

Zjarr në urën “Bellasnica”, mbyllet plotësisht rruga për qarkullim

12.05.2023 15:57

“Ndodhemi në urën “Bellasnica” në afërsi të Q.T. “East Gate”...

“Ndodhemi në urën “Bellasnica” në afërsi të Q.T.  “East Gate”, ku gjatë natës ka shpërthyer një zjarr i madh. Por, pas intervenimit të brigadës së zjarrfikësve të qytetit të Shkupit, zjarri është lokalizuar dhe më pas është shuar. Për shkaqe sigurie është mbyllur qarkullimi për automjetet në këtë rrugë.”.
 
Nga Qendra për Menaxhim  me kriza informojnë se zjarri është raportuar rreth mesnatës dhe ekipet menjëherë kanë dalë në terren.
 
“Nga ana e Brigadës së Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, menjëherë është dalë në terren, por zjarrfikësit nuk janë lejuar të ndërhyjnë për shkak të mungesës së informacionit të mjaftueshëm për instalimet që kalojnë nën urë. Pasi është konstatuar se nuk ka rrezik për jetën e zjarrfikësve, plotësisht është ndërprerë  rryma nga ura dhe është filluar me shuarjen. Besoj se ekspertët e MPB-së do t’i zbulojnë arsyet që shkaktuan zjarrin. Njëra mundësi është lidhja elektrike e kabllove të tensionit të lartë, e cila ka shumë pak gjasa dhe e dyta është një faktor njerëzor, sepse nga sa kemi mundur të shohim, ka disa dyshekë dhe batanije se nën urë kanë qëndruar njerëz.”, - deklaroi Stojçe Angelov nga QMK.
 
Akoma nuk dihet se kur do të hapet për qarkullim kjo rrugë, por sipas Qendrës për Menaxhim  me kriza, për momentin janë duke u siguruar të gjitha rrjetet e instalimit që të mos përsëritet i njëjti problem dhe që janë duke u verifikuar shkaqet e shpërthimit, derisa punimet janë duke vazhduar, rruga do të mbetet e mbyllur.
 
Lëvizja e këmbësorëve, biçikletave, skuterëve dhe rekreativistëve do të ndalohet nën urë, përkatësisht në pjesët e shtigjeve në kejin nën urë për shkak të rrezikut nga rënia e copave të betonit nga mbështjellësi mbrojtës i betonit të urës, thonë nga QMK.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU