Maqedoni

Mariçiq nga Prishtina: Eurointegrimi të bashkojë rajonin

12.05.2023 17:25

Rajoni duhet të jetë në një tryezë kur bëhet fjalë për të ardhmen evropiane të rajonit...

Rajoni duhet të jetë në një tryezë kur bëhet fjalë për të ardhmen evropiane të rajonit, strategjinë dhe qëllimin perëndimor, ka thënë zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq,  në takim me  zëvendëskryeministrin e parë për integrime të Kosovës, Besnik Bislimi.
 
Nga Prishtina, Mariçiq ka theksuar se aspirata për në BE është e vështirë, por qasja dhe  bashkëpunimi i përbashkët  rajonal mund ta bëjë rrugëtimin më të lehtë. Ka siguruar mbështetjen e RMV-së për integrimin e Kosovës në BE dhe në organizatat tjera. Janë biseduar edhe marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.
 
“Kosova gëzon përkrahjen dhe partneritetin e plotë të Maqedonisë së Veriut për integrim sa më të shpejtë në organizatat ndërkombëtare dhe në arritjen e qëllimit strategjik, e që është  anëtarësimi në BE.  Kemi shumë fusha  ku mund ta përmirësojmë  bashkëpunimin,  e në  veçanti  në procesin  e integrimit ku Kosova mund të llogarisë në ndihmën  dhe shkëmbimin  e përvojave.  Është me rëndësi që vendet e Ballkanit Perëndimor  të ulen në një tavolinë  dhe të demonstrojnë konsensus, unitet dhe gatishmëri  për të ecur drejt BE-së, duke iniciuar mbledhje të përbashkët nga të gjithë ministrat e eurointegrimeve të rajonit.”, - u shpreh zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq.
 
Mariçiq siguron homologun e tij kosovar për përkrahjen e vendit mbi normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë –Beograd duke shpresuar që dakordimi mes dy palëve në Ohër, të jetë bazë për arritjen e kompromisit në mënyrë evropiane.
 
Nga sekretariati për eurointegrime njoftojnë se i pari i këtij dikasteri,  në Prishtinë,  ka marrë pjesë edhe në  konferencën për Ballkanin Perëndimor, sigurinë dhe bashkëpunimin në këtë rajon.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU