Gostivar, komuna investon 15 mijë euro në shkollën e Zdunjës

18.02.2015 15:58

Komuna e Gostivarit vazhdon investimet në shkollat që gravitojnë në territorin e saj...

Në Shkollën periferike “Mustafa Kemal Ataturk”, në fshatin Zdunjë, janë investuar nga buxheti komunal 15 mijë euro për adaptimin e hapësirave shtesë të kësaj shkolle.

Me investimin e fundit në këtë shkollë  është bërë rregullimi i pullazit, rregullimi i fasadës nga jashtë, si dhe lyerja e klasës nga brenda. Është bërë instalimi i ri i rrjetit të energjisë elektrike, shtruarja e objektit me laminat, si dhe furnizimi me banka të reja shkollore.

“Pasi bëmë rregullimin e oborrit dhe fushës së sportit, ne u premtuam banorëve, mësimdhënësve dhe drejtorit të shkollës se do të bëjmë rregullimin e klasës, që edhe nxënësit që mësojnë këtu të mund t’i kenë kushtet e njëjta me nxënësit e tjerë. Ky investim i komunës ka kushtuar mbi 15 mijë euro dhe tani lirisht mund të themi se kjo shkollë është e kompletuar, ashtu siç janë të gjitha shkollat në nivel të Komunës së Gostivarit”- deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.

“Ka pasur premtime edhe më herët, por nuk ka pasur investime. Për këtë vit janë shumë 50 mijë euro investime që u kryen në shkollën tonë. Kemi oborr të rregulluar, fushë sporti dhe tani edhe një mjedis të ri shkollor”- tha përgjegjësi i SH.F “Mustafa Kemal Ataturk”, Oktaj Nuredin.

Në Shkollën periferike “Mustafa Kemal Ataturk”, në fshatin Zdunjë, vitin e kaluar Komuna e Gostivarit investoi në ndërtimin e fushës sportive, si dhe rregullimin dhe rrethimin e oborrit të shkollës. Investimi për rregullimin e dy terreneve sportive ka kushtuar 36 mijë euro.

Gjithashtu është asfaltuar edhe hyrja e shkollës prej te rruga kryesore me sipërfaqe 210 metra katror dhe është bërë rregullimi i oborrit me pllaka bekatoni me sipërfaqe prej 320 metra katror. Në këtë shkollë mësimin e ndjekin mbi 80 fëmijë në gjithsej 11 paralele. (Lulzim Haziri, TVM2)